Grabovci ka zgjedhur të mbrohet në heshtje

Grabovci ka zgjedhur të mbrohet në heshtje

Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka zgjedhur të mbrohet në heshtje në gjykimin që po vazhdon për rastin e përgjimeve “Pronto”.

Në seancën e sotme, pasi u ftua nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti, për t’u deklaruar para gjykatës me akuzën që ngarkohet nga prokuroria speciale, i akuzuari Adem Grabovci tha se do të mbrohet në heshtje.“Dua të mbrohem në heshtje sepse për mua ky gjykim është përfunduar në vitin 2014”, tha ai.

Në Gjykatën e Prishtinës po mbahet seanca për rastin “Pronto” ku të akuzuar janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, përfshirë ish-deputetin Adem Grabovci, ish-ministrin Besim Beqaj, ish-deputetin Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministrin Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarin politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtorin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtorin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefen e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Adem Grabovci akuzohet nga Prokuroria Speciale me 9 pika të aktakuzës.Sipas aktakuzës, Adem Grabovci gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kishte komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë të bordit të drejtorëve në ndërmarrjet publike, ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’.

Sipas Prokurorisë Speciale, 11 personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje./kallxo.com