Ende nuk janë gjetur të gjithë anëtarët e familjes Berisha

Ende nuk janë gjetur të gjithë anëtarët e familjes Berisha

21 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të më shumë se 50 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetonte.

E tëra nisi kur te shtëpitë e kësaj familjeje, që nuk gjendet më larg se 100 metra nga stacioni policor i Suharekës, janë shfaqur paramilitarët serbë, që disa i kanë vrarë në pragun e shtëpisë e të tjerët i kanë dëbuar nga shtëpia e tyre, duke i dërguar në lokalin e një kafiterie, ku edhe ka ndodhur masakra.

Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha.

Në përkujtim të kësaj dite të tmerrshme për familjen Berisha, Gramoz Berisha dhe nëna e tij, Vjollca kanë përkujtuar më të dashurit e tyre në hyrje të lokalit ku 21 vjet më parë u vranë dhe u dogjën 52 familjarët e tyre.

Familja Berisha ka marrë mbështetje edhe nga familjarë të tjerë në ditën e përkujtimit të kësaj masakre të tmerrshme.

Para pak vjetësh disa prej anëtarëve kanë gjetur dhe janë varrosur eshtrat e Bujar Berishës, Faton Berishës, Nexhat Berishës dhe Arta Berishës, nën nderimet ushtarake. Por, ende nuk janë gjetur të gjithë anëtarët e familjes Berisha.