Grant prej 1.2 milion eurosh për dhjetë komuna të Kosovës

Matoshi ka falënderuar përfaqësuesit e komunave të Kosovës për angazhimin e tyre në krijimin e zonave të gjelbra

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi sot së bashku me organizatën “Let’s Do It Kosova” ka ndarë grantin prej 1.2 milion eurosh për komunat fituese të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, aksion ky, i cili kishte zgjatur tre muaj.

Përfitues të këtij granti ishin dhjetë komuna të Kosovë ku me nga 150 mijë euro janë shpërblyer komunat: Ferizaj, Gjakovë, Suharekë dhe Viti ndërsa me nga 100 mijë euro, komunat: Drenas, Gjilan, Prishtinë, Obiliq, Suharekë dhe Viti.

Në konferencën përmbyllëse të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, u ndanë kontejnerë dhe shporta për komunat: Junik, Han Elezit, Podujevë, Istog, Skenderaj, Malishevë, Pejë, Rahovec, Lipjan, Shtime, Deçan, Prizren e Mitrovicë.

Gjatë kësaj ceremonie, ministri Matoshi ka thënë se fushata “Ta pastrojmë Kosovën” ka qenë ndër fushatat më të suksesshme për pastrimin e mjedisit.

“Gjatë kësaj fushate të pastrimit janë larguar mbi 900 deponi ilegale të mbeturinave, që nënkupton një mjedis më të pastër, më pak ndotje e rrezik për sëmundje të ndryshme. Janë aktivizuar mijëra qytetarë për të pastruar hapësirat ku jetojnë e veprojnë”, ka deklaruar ministri Matoshi.

Ai ka falënderuar përfaqësuesit e komunave të Kosovës për angazhimin e tyre në krijimin e zonave të gjelbra, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për ndihmë në largimin e deponive të ngurta përmes makinerive të rënda dhe gjithë aktivistët që kanë marrë pjesë në këtë aksion gjithëpërfshirës.

I pari i MMPH-së, Matoshi ka thënë se puna e institucioneve të Kosovës nuk do të ndalet për të përmirësuar mjedisin për qytetarët e vendit.

“Për të arritur një qëndrueshmëri të kësaj fushate dhe zhvillim të qëndrueshëm bashkë me GIZ-in gjerman për tri vite 2020-2022 do të investojmë në formë grantesh për komuna në vlerë prej 7 milion euro në fushën e mbeturinave. Po ashtu tani jemi në fazën finale të hartimit të strategjisë së integruar për menaxhimin e mbeturinave dhe po ashtu jemi duke zbatuar Udhëzimin Administrativ për ndëshkime me Gjoba Mandatore”, ka thënë Matoshi.

Ndërsa kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar mobilizim institucional për një Kosovë të pastër.

“Duhet të jemi të mobilizuar për një Kosovë të pastër, për një Kosovë Eko dhe mund ta bëjmë. E kanë bërë edhe vende të tjera”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova” ka thënë se angazhimi i të gjithëve në aksionin tre mujor për pastrimin e mjedisit ka kontribuar që Kosova të bëhet vend më i mirë për të jetuar.

Gjatë kësaj konference përmbyllëse u nda mirënjohje edhe për vullnetarët e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” dhe përfaqësuesit e kompanive publike dhe private për kontributin e dhënë gjatë këtyre muajve./21Media

Back to top button