Gratë më të diskriminuara për punë se burrat

Diskriminim gjinor vazhdon të mbetet sfidë për institucionet e vendit

Shanset për të përjetuar diskriminim me bazë gjinore në punë janë 2.8 herë më të mëdha për gratë sesa për meshkujt, kurse diskriminimi ndodh kryesisht në punësim, promovim, lejen e lindjes dhe ngacmimin seksual në punë.

Kështu u tha gjatë lansimit të raportit të ri “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”, i cili u mbështetë nga

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian (BE), Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Institucionin e Avokatit të Popullit, dhe Zyrën Suedeze në Kosovë.

Kryetarja e Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës, Ariana Qosaj Mustafa tha se diskriminim në baza gjinore mbetet një sfidë dhe numri i grave të punësua vazhdon të mbetet i ulët. Sipas saj sistemi i drejtësisë vazhdon të mbetet i sfiduar në këtë aspekt, marr parasysh rastet e trajtuara deri më tani për diskriminim gjinor në punë.

“Edhe pse disa raste të diskriminimit në tregun e punës raportohen për fat të keq sistemi i drejtësisë është ende i sfiduar edhe gjykata janë ato që mënyrë minimale kanë qenë në gjendje të adresojnë do të thotë në praktik zbatimin e legjislacionit. Si rezultat ekziston edhe një numër shumë i vogël i rasteve ligjore lidhur me diskriminim me bazë gjinore në punë dhe edhe nëse janë nuk janë në dispozicion, ndërsa zbatimi i legjislacionit kundër diskriminim vazhdon të mbetet i dobët”, tha Mustafa.

Luigi Brusa shef i sektorit të bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë deklaroi se e drejta për pronësi për gratë vazhdon të mbetet mjaftë e ulët dhe kjo ndërlidhet shumë me aspektin kulturor. Ai tha se duhet një legjislacion modern dhe i zbatueshëm me qëllim që të luftohet diskriminimi në baza gjinore, teksa kërkoi nga Qeveria e Kosovë të punoj më shumë në diskriminim gjinor në aspektin e punësimit çoftë në sektorin publik apo privat.

Brusa kërkoi që të paguhet çmimi i njëjtë për punën e njëjtë që bëhet pavarësisht aspektit gjinor.

“Unë e thërras Qeverinë që të punoj dhe t’i adresoj të gjitha sfidat që janë ngritur në këtë raport, pra unë vetëm sa i përmenda disa dhe duhet të sigurohet se Kosova ka harmonizuar ligjet e tyre me komunitetin e Bashkimit Evropian dhe kjo duhet të bëhet dhe ky do të ishte hapi i parë, mirëpo nuk është i mjaftueshëm si hap. Pra, Qeveria duhet të siguroj që këto ligje janë të implementuara në praktik dhe shumë shpesh fjala implementim fatkeqësisht nuk është në mendjen apo edhe në fjalët e politikanëve tuaj ose në veprimet e tyre, pra e drejta e grave duhet bërë mos diskriminim, duhet të mbrohet çdo ditë“ , u shpreh Brusa.

Se diskriminimi gjinor vazhdon të jetë sfidë për institucionet e Kosovës e pranoi edhe kryesuesja e Agjencisë për Barazi Gjinore që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Edi Gusia, e cila tha se ky raport ka treguar se kemi ngecje në zbatimin e kornizës ligjore që mbron nga diskriminim dhe garanton të drejta të barabarta.

Gusia theksoi se ky raport ka vërtetuar se Kosova vazhdon të ballafaqohet me stereotipe gjinore.

“Për ta përshpejtuar procesin e zbatimit të ligjit dhe për të siguruar mundësi të barabarta është e domosdoshme që të ndërmarrim masa afirmative, pozitive, shtesë për t’i kompensuar disavantazhet historike dhe sociale që pengojnë gratë dhe burrat për të arritur rezultat të njëjtë të suksesshëm në vend të njëjtë dhe mos ndërmarrja e masave afirmative të cilat ligji i garanton është në vetë vete diskriminim. Masa të tilla janë investime të vlefshme zhvillimore veçanërisht aty ku duhet të jenë përshpejtuese, inovative si dhe strategjike, si dhe përfshirja e grave në punësim sepse rregullojnë në pabarazi gjinore të afektuar nga pasojat historike”,deklaroi ajo.

Përfaqësuesja e institucionit të Avokatit të Popullit, Edona Hajrullahu u shpreh se gratë vazhdojnë të mbesin ndër grupet më të margjinalizuara në vend, teksa edhe problemet e tyre vazhdojnë të jenë të njëjta me vitet e kaluara. Sipas saj gratë nuk përfitojnë nga të drejtat të cilat ua garanton edhe Kushtetuta e Kosovës, ndërsa detyrë e institucioneve mbetet që të punojnë më shumë në zbatim të praktikave ligjore.

Nga raporti po prapë vjetor që e kemi nxjerr për vitin 2018 vazhdon pak e shumë të jetë trendi i njëjtë i problemeve që gratë kanë në Kosovë. Pra një numër i konsiderueshëm i grave ankohen për probleme me të drejtën në punë dhe çështjen ekonomike, mbrojtjen sociale dhe prindërore apo lidhur me të drejtën e shkeljeve gjatë shtatzënisë dhe pushimit të lindjes.

Ndërsa, sa i përket diskriminimit konkret në fushën e punës ato paraqesin edhe largime e paligjshme të grave nga puna, mos dhënia e mundësive për aftësim profesional në punë dhe pengimet lidhur me avancimin në punë“ tha përfaqësuesja e Avokatit të Popullit.

Raporti “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë” ka dalë edhe me disa rekomandime siç janë rëndësia e ndryshimit të Ligjit të Punës, nevoja për më shumë inspektor të punës, dhe nevoja për bashkëpunim ndërinstitucional ndërmjet institucioneve relevante dhe shoqërisë civile.

Për këtë raport janë intervistuar 3782 respodentë, prej tyre 67 për qind kanë qenë gra, kurse vetëm 33 për qind burra.

Back to top button