Gratë ndërmarrëse nuk përkrahen nga ansambleistet në Kamenicë

Floktaria, rrobaqepësia dhe restorantet janë profilet e bizneseve që dominojnë në Kamenicë

Të arriturat ekonomike të grave të Komunës së Kamenicës, ishte tema e kësaj jave në emisionin Start Up, në RTV21. E ftuar në studio përkrah disa grave ndërmarrëse ishte Drejtoresha e Departamentit për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kamenicës, Shejnaze Masurica e cila prezantoi një përmbledhje të arriturat ekonomike në këtë komunë, shkruan rtv21.tv

Masurica vlerësoi se në bazë të buxhetit komunal është arritur të punohet, duke u ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit të ekonomisë.

“Në bazë të zyrës për regjistrim të bizneseve në Kamenicë, ekzistojnë 2 mijë e 10 biznese, por nuk mund të them se të gjitha prej këtyre janë aktive. Në bazë të aktvendimeve  që ne si Drejtori e Financave i ngarkojmë për taksë komunale, faktikisht këtë vit janë 728 veprimtari të cilat janë momentalisht edhe aktive”, ka thënë Masurica, duke shtuar se prej tyre 250 janë femra, biznese jo shumë të mëdha por të gjitha funksionale.

Sipas saj, floktaria, rrobaqepësia dhe restorantet janë profilet e bizneseve që dominojnë në Kamenicë.

Masurica ka treguar se Komuna e Kamenicës, vazhdimisht përkrah bizneset, andaj në fund të vitit 2016 është aprovuar strategjia për gratë ndërmarrëse me organizatën KSBS, i financuar nga USAID.

“Konkretisht strategjia përmban prioritetet e grave në përgjithësi, kërkohen fonde edhe nga komuna, por ne duke e ditur se buxheti në Komunën e Kamenicës këtë vit është shumë i limituar, ku kemi vetëm 100 mijë euro investime kapitale, 9 mijë euro subvencione. Në këtë strategji e kemi futë kodin për bashkë financim me projekte dhe donatorë, që është një shifër prej 120 mijë euro  që në çdo projekt që ofrohet për çështje gjinore në Kamenicë sidomos për gruan, atëherë ai kodë mund të shfrytëzohet”, ka shtuar Masurica.

Në anën tjetër, në emision ishte e ftuar edhe asamblestja  Besa Hoxha, e cila tregoi projektet që kanë punuar gratë asambleiste në Komunën e Kamenicës, për t’u dal në ndihmë grave ndërmarrëse.

Hoxha ka treguar se Komunës i mungon një strategji ofrimin e ndihmës për hapjen e biznesit.

“ Drejtoresha e përmendi një strategji e cila na është ofruar prej donatorëve të tjerë, por, ende ajo është veç në letër, e kanë lyp një përkrahje kanë ardhur deri në Kuvend ju kemi thënë se do t’i përkrahim si komunë, por strategjia mungon. Nuk mund të themi se është e kënaqshme përfaqësimi i gruas në përgjithësi”, ka thënë Hoxha.

Sipas saj, zëri i asambleisteve nuk është i kënaqshëm, pasi tetë nga to veçse janë punësuar dhe nuk ngritin zërin për gratë tjera.

“Asnjëherë qe katër vjet nuk kemi ngritë ndonjë çështje të caktuar për përkrahjen e gruas.”, theksoi ajo, duke shtuar se Kamenica ka gra të zonja dhe intelektuale që meritojnë të përkrahen./21Media

Back to top button