Gratë që i sollën brendet ndërkombëtare në Kosovë

Në kuadër të emisionit “Start Up” në RTV 21, u fol për femrat të cilat kanë sjellë dhe zhvillojnë brendet e njohura ndërkombëtare në Kosovë

Linda Shala drejtoreshë e “Data Project Elektronik”, tha se përfaqësimi direkt i brendeve të njohura në Kosovë me distributor të autorizuar ka filluar pas shpalljes së Pavarësisë. Shala tha se deri pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së Kosovës si shtet, shumica e brendeve të Kosovës janë prezantuar si brende të shteteve fqinje përreth.

“Unë edhe pse kam punuar me brende të njohura të teknikës, deri në vitin 2008 nuk kam pasur kontratë me distributorët. Edhe pse mallin e kemi marrë prej prodhuesve, benefitet i kanë fituar shtetet fqinje, çoftë Maqedonia, Serbia, Bullgaria apo ndonjë vend tjetër. Pas shpalljes së pavarësisë kam arritur t’i bëjë kontratat e drejtpërdrejta, në rastin tim me kompanitë e njohura të pajisjeve për amvisëri”, theksoi Shala.

Shala tha se tani mundësia e përfitimit nga këto brende është më e madhe dhe kosto e operimit është më e vogël, njëherit sqaroi se janë edhe disa kosto të tjera të cilat rriten, shkruan rtv21.tv

“Momenti kur malli qarkullon ndërmjet distributorëve normalisht që edhe kosto e operimit është më e vogël por, në të njëjtën kohë arriten edhe disa kosto të tjera, sepse kompanitë e mëdha, bashkëpunimi kontratat, raportet e kanë një kosto ekstra sepse për realizimin e atyre kontratave duhet një organizim i mirë i kompanisë, trajnim i stafit si dhe disa kosto të tjera ekstra bankare”, tha mes tjerash Shala.

Ndërkaq, Afërdita Hoxha drejtoreshë e “Jeunesse Kosova”, tha se kompania e saj është relativisht e re në krahasim me kompanitë e tjera dhe është me qendër në Floridë. Për dallim nga kompanitë e tjera, Hoxha tha se kjo kompani ka filluar të punojë vetëm online dhe është në linjë me teknologjitë e reja. Ndërsa në Kosovë më shumë tha se ka hyrë në treg të marketingut pasi që ende nuk janë hapur si shtet në sistemin e kompanisë “Jeunesse”,  shkruan rtv21.tv

Hoxha tha se kanë bërë disa prezantime dhe do ta analizojnë tregun para lansimit të Kosovës në sistemin e kompanisë “Jeunesse”. Hoxha tha se kjo kompani çdo ditë e më tepër po përhapet, duke shtuar se shpreson që edhe në Kosovë do ta përkrahin këtë ide, ani pse produktet të gjitha do të shiten online dhe jo në dyqane. Po ashtu ajo përmendi se deri më tani janë 220 shtete që e kanë festuar përvjetorin e kompanisë.

Në anën tjetër, Shqipe Dushi, Drejtoreshë e Postës së shpejt “DHL”, tha se kjo kompani globalisht operon në gjithë botën, ndërsa në Kosovë në 30 vende. Dushi tregoi se ka filluar të punojë në moshë të re dhe ka fituar një besim të madh. Ajo tha se më herët kjo punë ishte më problematike, duke cekur transportin rrugor dhe atë ajror, por tani tha se i kanë kaluar të gjitha me lehtësi. Dushi tregoi se edhe stafi janë në moshë të re dhe funksionojnë jashtëzakonisht mirë.

Duke folur rreth asaj se a është paragjykuar ajo si femër, Dushi tha se nuk ka pasur përvoja të këqija, kanë qenë të hapur dhe i kanë pranuar si këshillat ashtu edhe kritikat.

Në “Start Up” foli edhe Valbona Humolli – Bajrami, drejtoreshë për Kosovë e “Oliver Weber”, e cila sqaroi vështirësitë që patën për ta sjellë këtë brend në Kosovë. Ajo tregoi se ideja ka qenë fillimisht e familjes së saj, të cilët edhe arritën të kontaktonin me këtë kompani, dhe tash e 7 vite menaxhohet nga Humolli – Bajrami.

Drejtoresha e “Oliver Weber” tha se fillimisht brendi nuk ishte dhe aq i njohur në Kosovë andaj dhe ishte më e vështirë, mirëpo tani Bajrami tha se klientët janë bindur se aksesorët e tyre janë me gurë Swarovski dhe tani interesimi për këtë lloj brendi është rritur më shumë.

Deri më tani janë dy pika të cilat gjenden në kryeqytet, por Humolli -Bajrami tha se mendojnë që ta zgjerojnë këtë biznes edhe në vendet e tjera të Kosovës./21Media

Back to top button