Grenell i kërkon LDK-së heqjen e taksës ndaj Serbisë

Anëtarët e LDK-së në Berlin

I Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, ambasadori Richard Grenell, u takua sot me nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliun dhe anëtarët e Kryesisë së kësaj partie, Avdullah Hotin dhe Skender Hysenin.

Gjatë takimit në Berlin, Grenell inkurajoi delegacionin e LDK-së që të ruajë përkushtimin për rend dhe ligj dhe të marrë vendime të cilat e avancojnë dialogun me Serbinë.

LDK nëpërmjet një komunikate njoftoi se ambasadori po ashtu, kërkoi nga delegacioni që të hiqet taksës ndaj mallrave serbe dhe të përqendrohet në politikat që thellojnë zhvillimin ekonomik dhe krijojnë vende pune për popullin e Kosovës.

Ndërsa nga ana e tyre, delegacioni i LDK-së, parti kjo që doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit, e njoftoi amasadorin amerikan për përpjekjet që po bëhen për të arritur një marrëveshje për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Kujtojmë se në fillim të muajit tetor, Grenell vizitoi Kosovën. Gjatë qëndrimit këtu i Dërguari i Posaçëm i Trumpit porositi që “Kosova dhe Serbia duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë duke shikuar nga e ardhmja”./21Media

Back to top button