Grenell sjell porosinë e Trumpit: Krijoni biznese, zvogëlohen konfliktet politike!

Grenell në Kosovë për të diskutuar për dialogun Kosovë – Serbi

Në fillim të takimit mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe emisarit të presidentit Donald Trump për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, të dy iu adresuan mediave.

Thaçi filloi fjalën e tij me falënderime të përzemërta për ambasadorin Grenell, vizitën e tij në Kosovë, dhe mundin e punën e tij për të përmirësuar marrëdhëniet Kosovë – Serbi. Pas kësaj Thaçi falënderoi presidentin Donald Trump, duke thënë se nën udhëheqjen e tij do të arrijmë më shumë paqe, stabilitet, si dhe marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Roli juaj është krucial. Nën udhëheqjen e Trumpit mund të arrijmë shumë”, deklaroi Thaçi.

Thaçi sqaroi se Grenell nuk është këtu për të bërë presion për formimin e Qeverisë, pasi ai merret me politikë të jashtme e jo politikë të brendshme e lokale siç e quajti ai. Sipas presidentit, me Grenellin do të bisedojnë për dialogun si dhe marrëdhëniet mes Prishtinës e Washingtonit.

Ambasadori Grenell në anën tjetër, deklaroi se Presidenti Trump është i fokusuar për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë pa shikuar të kaluarën dhe argumentet që janë përsëritur. Ai theksoi se dëshirojnë progres në këtë rajon, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë e vendet tjera, shkruan rtv21.tv.

Grenell  deklaroi se dëshiron të shtyejë përpara idetë që Qeveria duhet të largohet nga bizneset, e njerëzit të marrin fuqinë, ashtu siç ka bërë presidenti Trump në SHBA.

Ambasadori shtoi  se dëshiron t’i shohë të gjitha çështjet që kanë impakt ekonomik, dhe t’i shtyejë të dyja qeveritë, atë të Kosovës dhe Serbisë që të fokusohen në përparimin ekonomik.

Shikoni njerëzit, hapni punë për ta. Nuk mund ta bësh këtë me konflikt politik. Dua t’i shtyej përpara shumë projekte e ide që do të krijojnë zhvillim ekonomik, e veçanërisht punë”, ka deklaruar Grenell.

Ai përfundoi fjalën e tij duke theksuar se presidenti Trump ka deklaruar që kur njerëzit krijojnë biznese të reja, e me këtë krijohen edhe punë të reja, konfliktet politike zvogëlohen.

“Nuk dua konflikte politike, Kosova dhe Serbia të punojnë së bashku për një të ardhme më të ndritur.”, ka thënë fare në fund Grenell.

Grenell pas vizitës në Prishtinë, të premten do të qëndrojë edhe në Beograd./21Media

Back to top button