Grenell zbulon dy porositë që ia drejtoi Kurtit gjatë takimit

Përfundon takimi Grenell-Kurti

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell u takua me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Pasi doli nga selia e këtij subjekti, Grenell  u deklarua për media, me ç’rast tha se ishte kënaqësi për të që takoi sërish Kurtin.

Qysh në fillim të deklaratës së tij, Grenell tha se ia bëri të qartë Kurtit se nuk është puna e tij të përzihet në arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë, shkruan rtv21.tv

Çështja e formimit të qeverisë nuk më takon mua dhe nuk jam i interesuar në të. Por dua t’i them dy gjëra, e para i thashë zotit Kurti që vendet si Britania e Madhe dhe Gjermania kishin përballje të mëdha teksa po provonin ta krijonin Qeverinë. Ne po e përcjellim situatën. I thamë të ndjekë ligjin nëse do që të arrihet suksesi“, tha ambasadori.

Çështja e dytë për të cilën ambasadori porositi Kurtin është të lihen përmballjet për koalicion dhe të fokusohen tek rëndësia e madhe e rritjes ekonomike.

Përpjekuni për të formuar vende të reja pune, përpjekuni të sjellni infrastrukturë evropiane dhe amerikane në Kosovë. Njerëzit janë të interesuar të ndihmojnë ekonominë këtu. Administrata e Trumpit ka qenë mjaft e suksesshme në rritje të ekonomisë duke ju ndihmuar bizneseve përmes qeverisë“, theksoi Grenell.

Në fund, i dërguari i posaçëm i Trumpit tha se “Po provoj të injoroj problemet politike dhe të fokusohem në çeshtjet ekonomike, sepse i kërkova zotit Kurti dhe do t’ua kërkoj secilit lider politik, sepse është shumë e rëndësishme që nëse dëshironi të keni zhvillim ekonomik, ta largoni taksën 100%. Kjo është diçka e cila duhet të hiqet në të njëjtën kohë me kampanjën e ç’ njohjeve nga Serbia. Dhe mendoj që të dyja këto duhet të hiqen në mënyrë që bizneset të lëvizin përpara. Mesazhin e njëjtë do ta barti edhe në Beograd, dua të shoh që po ecim përpara, dua të shoh se familjet e reja të kenë paga më të mira. Këtë mesazh e kam për juve sot këtu, e të njëjtin mesazh do ta përcjellë edhe në Serbi”.

Pas deklarimit për media, Grenell u nis drejt selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës./21Media

Back to top button