Greqia do të marrë trupin e emigrantes 5-vjeçare për ta varrosur

Greqia do të përpiqet të marrë për ta varrosur trupin e një vajze 5-vjeçare, e cila vdiq në një lum në kufirin Greqi-Turqi, ku ajo ishte në mesin e një grupi emigrantësh të bllokuar atje prej disa ditësh, tha të martën ministri i Migracionit, Notis Mitarachi.
Mitarachi ishte duke vizituar rajonin e Evros të Greqisë, një ditë pasi policia atje gjeti 35 sirianë dhe tre palestinezë, mes tyre një grua shtatzënë dhe shtatë fëmijë, të cilët ishin fshehur në territorin grek pasi kishin kaluar lumin nga Turqia.
Agjencitë e ndihmës dhe raportet e mediave raportuan se vajza, e cila ishte nga Siria dhe po udhëtonte me prindërit dhe motrën e saj, kishte vdekur nga një pickim akrepi, përcjell rtv21.tv
Mitarachi tha javën e kaluar se ishulli në lumin Evros ishte territor turk dhe se autoritetet greke kishin kontaktuar homologët e tyre turq për këtë çështje.
“Mjerisht, duket se një vajzë 5-vjeçare humbi jetën në tokën turke”, u tha Mitarachi gazetarëve.
“Ne do të koordinohemi me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhënën e Kuqe për të siguruar që trupi i kësaj vajze të sillet në Greqi për t’u varrosur me dinjitet nga familja e saj”, shtoi ministri.
Sipas mediave dhe aktivistëve, emigrantët u përpoqën të arrinin në kontinentin grek, por ishin shtyrë prapa, raporton CNN
Greqia ka mohuar vazhdimisht se ka dëbuar me forcë refugjatët ose emigrantët në pikat kufitare.
Mitarachi u tha gazetarëve të martën se grupi hyri në territorin grek për herë të parë më 14 gusht dhe u fsheh për një ditë. Sipas tij, ata ishin arrestuar më parë nga autoritetet turke dhe më vonë ishin sjellë në bregun e lumit dhe ishin detyruar të kalonin.

“Ata u kërcënuan nga policia turke që të kalonin ilegalisht në Bashkimin Evropian. Kjo është një shtytje përpara e cila është krejtësisht e paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare,” tha ministri grek.
Back to top button