Merja: Zgjedhjet ndikuan në zbatimin e MSA-së

Merja: Zgjedhjet ndikuan në zbatimin e MSA-së

Kosova po ngec në zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, si akti kyç në rrugën për integrim në Bashkimin Evropian. Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2017, vetëm 34.8 për qind nga 241 masa që duhen zbatuar janë zbatuar nga institucionet e Kosovës.

Këto të dhëna i ka prezantuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike, nga monitorimi mbi temën “Zbatimi i Planit Kombëtar për MSA-në: Cili është progresi i institucioneve gjatë pjesës së parë të vitit 2017?”

Albana Merja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, theksoi se sipas Planit Kombëtar për MSA-në, Kosova duhet t’i zbatojë 241 masa në total, derisa vetëm masa legjislative janë 119 të tilla.

“Në total nga këto masa siç e thash janë 241 masa të tilla, në total për gjashtë mujorin e parë të vitit 2017 janë realizuar vetëm 34.8 për qind. Pjesa tjetër rreth 65 për qind janë masa ose që nuk janë realizuar fare, ose disa prej tyre që janë pjesërisht të plotësuara. Duhet theksuar nga 241 veprime që janë në total, 119 veprime janë masa legjislative, këtu përfshihen si legjislacioni primar ashtu edhe ai sekondar, që ka të bëjë me urdhra legjislativ apo rregullore të ndryshme. Më konkretisht kanë qenë 34 ligje për t’u miratuar gjatë gjashtë mujorit të parë 2017, 41 rregullore dhe 44 urdhër administrative. Përfundimisht janë miratuar plotësisht vetëm katër ligje, 13 rregullore dhe 21 urdhra administrative”, tha Merja.

Merja ka shtuar se hartimi i ligjeve është shumë i rëndësishëm, porse ligjet nuk duhet të jenë vetëm të mira, por edhe në përputhje me Acquis Communautaire të Bashkimit Evropian.

Sipas saj, edhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ka ndikuar në ngecjen e zbatimit të MSA-së.

“Për të dytin vit radhazi kemi vënë re që institucionet megjithëse kanë një arritje në vetëdijesimin për punën që kanë për MSA-në koordinimi midis institucioneve vazhdon të jetë shumë i dobët. Nga ana tjetër zgjedhjet e reja, ose të parakohshme për kuvendin e Kosovës normalisht që ka ndikuar që ky proces të ngadalësohet dhe nuk kemi parë një përmbushje të atyre masave me atë ritëm që do të duhej të ishte. Me konkretisht për gjashtë mujorin e parë të vitit 2017 institucionet e Kosovës kanë pasur për të zbatuar në total 241 aktivitete të ndara në 32 institucione”, tha Merja.

Gjatë monitorimit të zbatimit të MSA-së për gjashtëmujorin e parë, Merja tha se i kanë ndarë masat në tre lloje, masat plotësisht të plotësuara, masa që janë pjesërisht të plotësuara dhe masa të papërfunduara, që janë masa që akoma nuk ka filluar procesi.

Ajo theksoi se edhe me ardhjen e qeverisë së re nuk kanë parë ndonjë përshpejtim të procesit të zbatimit të MSA-së.