Guvernatori i Bankës Qendrore në takim me zyrtarë të Bankës Botërore

I njoftoi ata për zhvillimet pozitive në ekonomi

Guvernatori i Bankës Qendrore i Kosovës, Fehmi Mehmeti, takoi sot zyrtarët e misionit të Bankës Botërore, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Në këtë takim u diskutuan detajet e angazhimit për komponentin zhvillimor të FSAP, sa i përket sistemit të pagesave, identifikimit të hendekut të financimit dhe çështje tjera zhvillimore për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Guvernatori Mehmeti informoi zyrtarët e këtij institucioni lidhur me pozicionin e sistemit financiar në vend dhe falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për përkrahjen e vazhdueshme, që Banka Botërore dha dhe në vazhdimësi po i japin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Mehmeti deklaroi se sistemi financiar në Republikën e Kosovës ka pasur zhvillime pozitive në të gjithë indikatorët e tij, me një rritje vjetore të kreditimit prej rreth 11%, rritje vjetore të depozitave prej rreth 10%, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6.5%, ndërsa norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në 2.6%.

Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e BB-së lidhur me zhvillimet pozitive në sektorët tjerë, si sektorin e sigurimeve, pensioneve dhe atë të institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare.

Përfaqësuesit e BB-së të kryesuar nga shefi i misionit, Nadeem Karmali, falënderuan Mehmetin për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe e përgëzuan BQK-në për iniciativat zhvillimore në funksion të zhvillimit të BQK-së, si dhe diskutuan për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet BB-së dhe BQK-së.

Back to top button