"Finlanda në vazhdimësi e ka ndihmuar Kosovën"

“Finlanda në vazhdimësi e ka ndihmuar Kosovën”

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto, të cilin e njoftoi për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend.

Haradinaj tha se Finlanda është shtet mike e Kosovës dhe se marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera, dhe pret që vazhdimi i tyre të intensifikohet edhe në të ardhmen.

“Finlanda në vazhdimësi e ka ndihmuar Kosovën në programe të caktuara që kanë pasur rëndësi të veçantë për jetën e qytetarëve dhe për këtë u jemi shumë mirënjohës”, ka thënë kryeministri në detyrë Haradinaj.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto,  ri-konfirmoi qëndrimin e qartë të shtetit të tij për Kosovën duke thënë se Finlanda mbështet fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike.