Hadërgjonaj: Do ta pranoja barazimin me Anglinë

Hadërgjonaj: Do ta pranoja barazimin me Anglinë

I lindur dhe i rritur në Zvicër, lojtari i Haddersfield, Florent Hadërgjonaj pranoi të luajë për Kosovën më herët gjatë këtij viti. Ka qenë një eksperiencë mjaft emocionuese për mbrojtësin 25 vjeçar duke marrë parasysh historinë e këtij vendi, kështu ka nisur shkrimin Daily Mail për Florent Hadërgjonaj.

Kur bisedojmë me shokët e skuadrës ne nuk flasim vetëm për futboll”, ka thënë Hadërgjonaj.

Të gjithë kanë rrëfime të ndryshme. Ne që s’ishim në Kosovë gjatë luftës i dëgjojnë ata që ishin. Ata na tregojnë se si kanë ecur nëpër male me ditë të tëra, pa ushqim dhe me të shtëna përreth. Është shumë prekëse sepse ti e kupton që edhe familja, xhaxhallarët, kushërinjtë e tu mund të jenë përballur me të njëjtat sfida”, tha ai.

Daily Mail vazhdon më tej duke shkruar për Kosovën se si ishte pjesë e ish-Jugosllavisë dhe u nda nga ajo me luftë, që çoi në vrasjen e rreth 14 mijë personave e shpërnguljen e 1.7 milionë të tjerëve. Tregohet po ashtu edhe historiku i pasluftës, duke theksuar shpalljen e pavarësisë më 2008 dhe pranimin në futbollin ndërkombëtar më 2016, transmeton rtv21.tv.

Futbolli në Kosovë shihet si një mundësi për të vazhduar përpara. Hadërgjonaj, i cili debutoi për ‘Brazilin e Ballkanit’ në qershor kundër Bullgarisë e ka parasysh këtë.

“Ekipi i futbollit mund të tregojë një anë të mirë të shtetit. Lojtarët tan kanë lindur në vende të ndryshme, por së bashku mund të krijojmë diçka të vençatë. Dashuria për futbollin është e pafund. Kur mposhtën Bulgarinë në Sofia me qindra njerëz na pritën në aeroportin e Prishtinës”, tha ai.

“Nëse dalim për të ngrënë, nuk na lënë të paguajmë. Ushtrimet janë sikur ndeja argëtimi. Njerëzit shikojnë dhe lëshojnë muzikë. Nuk mund ta imagjinoj se si do të ishte nëse do të kualifikoheshim për Euro 2020”, ka deklaruar më tej Hadërgjonaj, në një intervistë për Daily Mail.

Një arritje e tillë nuk do të ishte befasi. Kosova jo vetëm që janë të pasionuar pas futbollit,  por edhe luajnë mjaft mirë. Lojtarët e Kombëtares së Kosovës luajnë në 14 liga të ndryshme.

Edhe nëse ata nuk mund të përfundojnë në vendin e parë apo të dytë ne grupin e tyre në kuadër të kualifikimeve për Europianin 2020, ata kanë mundësi të kualifikohen përmes Ligës së Kombeve, shkruan Daily Mail.

Historia e Hadërgjonajt është e veçantë. Prindërit e tij lanë Kosovën për një jetë të re në Zvicër, para se të nisnin telashet. Ai ishte veç pesë vjeç kur shpërtheu lufta. “Kisha sigurisht informacione, por deri vonë nuk e kam kuptuar çfarë ka ndodhur në të vërtetë”, ka shpjeguar ai.

“Ishte vështirë për prindërit e mi. Pjesa tjetër e familjes sonë po luftonte për jetët e tyre dhe ne nuk mund të bënim asgjë. Babai im kishte kushërinjtë që ishin në ushtri dhe u vranë. Kur kthehem tash në Kosovë, vizitoj familjen time, gratë pa burra e fëmijët pa etërit. Ndihemi me fat që kam qenë në Zvicër. Më dha gjithçka dhe më mundësoi të bëhem futbollist”, ka shtuar ai.

Kur u formua ekipi përfaqësues i Kosovës, yjet botërore si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka mbetën në ekipin kombëtar të Zvicrës dhe nuk ndërruan Kombëtare. Ndërsa Hadërgjonaj edhe pse ishte pjesë e Zvicrës, U-21, vendosi të bashkohej me bashkëlojtarët si Bersant Celina, Aro Muriq e Atdhe Nuhiu për të përfaqësuar Kosovë, shkruan Daily Mail, transmeton rtv21.tv.

“Ishte e vështirë të zgjedhja mes Kosovës dhe Zvicrës. Nga njëra anë Zvicra i dha prindërve të mi një jetë më të mirë, ndërsa në anën tjetër familja ime kishte luftuar për pavarësinë e Kosovës. Por, në fund e dëgjova zemrën dhe zgjedha Kosovën. E falënderoj shumë federatën zvicerane që e kanë mirëkuptuar vendimin tim dhe nuk e kanë bërë të vështirë për mua'”,  ka thënë tutje Hadërgjonaj.

Loja e parë kundër Anglisë tregon se deri ku ka arritur Kosova. Pas dështimeve të Huddersfieldin, fitoret e vetme për Hadërgjonëm gjatë këtij viti vijnë duke luajtur për Kosovën.

Mbrojtësi i krahut ka përvojë më shumë se bashkëlotjarët në përballjen me lojtarët anglezë. Harry Kane, Marcus Rashford e Raheem Sterling nuk kanë shënuar asnjëherë ndaj tij nga loja e hapur.

“Lojtarët tjerë më kanë pyetur se si janë futbollistët anglezë. U kam thënë ‘Djem shikoni videot, nuk mund t’iu ndihmoj’”, ka thënë duke qeshur Hadërgjonaj. “Anglia ka lojtarë të mrekullueshëm. Duken të rrezikshëm në TV, por duhet t’iu them, është edhe më vështirë në fushë. Kosovarët do të vijnë nga çdo vend për këtë ndeshje. E donim Wembleyn para Southamptonit, por ndoshta një stadium më i vogël do të jetë më mirë për ne, 30 mijë në vend të 80 mijëve. Kam luajtur në St Mary’s më herët dhe kam barazuar 1 me 1. Do ta pranoja këtë rezultat tani”, ka përfunduar ai./21Media