Takime me kreun shtetëror dhe me opozitën

Takime me kreun shtetëror dhe me opozitën

Komisioneri evropian për zgjerim Johannes Hahn, nesër do të qëndroj në Shkup, ku do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, me kryeministrin Zoran Zaev dhe me liderin e VMRO-DPMNE-së në opozitë, Hristian Mickoski.

Sipas agjendës zyrtare, do të bisedohet për reformat lidhur me eurointegrimin e vendit dhe pritjet që në vjeshtë të përcaktohet data për fillimin e negociatave inkuadruese. Pritet të diskutohet edhe për ligjin e ri për prokurori publike me të cilin duhet të rregullohet statusi i ardhshëm i PPS-së.

Një ditë më vonë për vizitë në vend duhet të vijë edhe ndihmëssekretari shtetëror i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Philip T. Reeker. Ai vjen në Shkup nga Athina ku pati takime me shefin e diplomacisë greke, Nikos Dendias, me përfaqësues të tjerë qeveritarë, si edhe me ish-kryeministrin Aleksis Cipras.

Në Shkup, sipas paralajmërimit të Departamentit shtetëror, Reeker do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, me kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe përfaqësues të tjerë qeveritarë. Tema qendrore do të jenë çështjet bilaterale dhe rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.