Hapja e negociatave për Shqipërinë është shtyrë për në vjeshtë

Hapja e negociatave për Shqipërinë është shtyrë për në vjeshtë

Vendimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë është shtyrë zyrtarisht për në vjeshtë. Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, ka pranuar se kriza politike në Shqipëri ka ndikuar te disa prej vendeve anëtare, duke mos e parë vendin gati për hapjen e negociatave. Madje edhe vjeshta nuk ofron asnjë siguri.

Një një konferencë për mediat nga Brukseli pas mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të BE-së, Hahn tha se BE do të duhet tu përmbahet me rigorizitet prioriteteve të përcaktuara për vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë proces.

Dhe këtu ai nënvizoi reformën e drejtësisë në Shqipëri. “Ajo që kam shpjeguar vazhdimisht është se BE dhe KE në veçanti ka rol të veçantë për përgatitjen e negociatave për zgjerimin dhe ne kemi ndikimin më të madh sa u përket këtyre vendeve të Ballkanit. Padyshim ju sot mund ta shikoni Shqipërinë dhe mund të shqetësoheni për krizën politike në Shqipëri, në mënyrë të veçantë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. Por duhet të bëjmë një dallim çfarë është vendosur më herët mes Shqipërisë dhe BE, vendimit unanim të BE duke përcaktuar 5 prioritetet kyçe që janë zbatuar nga Shqipëria. Sidomos në çështjen e reformës në gjyqësor. Po zhvillon një reformë në drejtësi me magnitudë të paprecedent. Nuk mund ta fajësojmë Shqipërinë që për shkak të kësaj reforme disa gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese janë pezulluar. Do të ishte e padrejtë për ti fajësuar autoritetet në lidhje me këto zhvillime. Padyshim ne nuk mund të injorojmë krizën e brendshme politike që ka pasur një farë ndikimi te vendet anëtare për vendimin e tyre ditën e sotme. Shpresojmë që deri në tetor do të ndryshojë mendimi i disa vendeve anëtare në lidhje me Shqipërinë. Duhet të shohim gjithmonë pjesën plot të gotës dhe jo pjesën poshtë të saj.”, tha Hahn.

Hahn zbuloi se Gjermania, Franca dhe Danimarka janë skeptike për hapjen e negociatave dhe kërkojnë shtyrjen.

Komisioneri Hahn që është dhe në mbyllje të mandatit të tij tha se çështja e zgjerimit lidhet me besueshmërinë e BE dhe si e tillë duhet të shihet si çështje strategjike nga Unioni. “Nëse BE kërkon të jetë aktor i rëndësishëm në çështjet globale duhet të mbajë fjalën e dhënë për Ballkanin Perëndimor.”, tha ai.

George Ciamba, ministri rumun për Evropën, të cilët janë edhe organizatorë të takimit pasi Rumania mban presidencën e radhës në BE tha se ” jemi besimplotë për rezultatet e arritura nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Por si duket çështja do të shtyhet për në tetor“.

Ndarja e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut?

Komisioneri tha se deri tani nuk është ndarë çështja e zgjerimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por vendimi për këto dy vende do duhet që të merret në grup. “Të dy vendet i kanë plotësuar detyrat e tyre, kanë përmbushur kushtet që u janë kërkuar. Unë nuk mund të jap garanci, por ne i kemi dëgjuar me kujdes të gjitha pretendimet e vendeve anëtare dhe ato e çmojnë se tepërmi Maqedoninë e Veriut dhe janë besimplotë. Më duhet të them se ishte një deklaratë mjaftë e qartë, e sinqertë e Ministrit gjerman Roath, se Bundestagu gjerman nuk ka pasur kohën e duhur për të shqyrtuar progres raportet e paraqitura nga KE, ndaj dhe ne duhet ti respektojmë institucionet demokratike të Gjermanisë.“, tha Hahn.

Konkluzionet e Këshillit Europian për negociatat

Në mbyllje të takimit, Këshilli i Europës ka dalë me një deklaratë për zgjerimin. Për Shqipërinë, Këshilli nënvizon në konkluzionet e tij se “duke rikonfirmuar konkluzionet e tij të 26 qershorit 2018, Këshilli merr parasysh rekomandimin pozitiv të Komisionit për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë bazuar në vlerësimin e tij pozitiv për progresin e bërë dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Këshilli. Për shkak të kohës së kufizuar në dispozicion dhe rëndësisë së çështjes, Këshilli do t’i kthehet çështjes me qëllim që të arrijë një vendim të qartë dhe thelbësor sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se tetori 2019.“/Oranews