Hahn shprehet optimist se zgjidhja e mosmarrëveshjes së emrit të Maqedonisë do të shërbejë si pararendës për zgjidhjen e konflikteve të tjera

Hahn shprehet optimist se zgjidhja e mosmarrëveshjes së emrit të Maqedonisë do të shërbejë si pararendës për zgjidhjen e konflikteve të tjera

Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn ka folur rreth një marrëveshjeje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë. Në një bisedë për Washington Post, gjatë një vizite të kohëve të fundit në SHBA, Hahn shprehet optimist se zgjidhja e mosmarrëveshjes së emrit të Maqedonisë do të shërbejë si pararendës për zgjidhjen e konflikteve të tjera në Ballkanin Perëndimor, përfshirë një ngërç në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.

Ndër tjerash ka thënë se shkëmbimi i territorit midis Serbisë dhe Kosovës mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore, duke theksuar se parakushti i vetëm për BE është se çdo marrëveshje duhet të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

“Në këtë pikë, askush nuk mund të parashikojë se çfarë mund të jetë rezultati përfundimtar. Shkëmbimi i mundshëm i territorit mund të jetë, në çdo rast, nëse dëshironi. Parakushti i vetëm që kemi vendosur është se çdo marrëveshje bilaterale duhet të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e rajonit”, ka deklaruar Hahn.

Më tej ai ka thënë, se një marrëveshje politike që vjen me koston e të tjerëve, do të ishte e papranueshme për Bashkimin Evropian./21Media