Hakerët: NSA monitoron transferimet globale – RTV21

NSA nuk ka komentuar ende pohimet

Hakerët kanë publikuar dokumente dhe dosje të premten, për të cilat ekspertët e sigurisë sajber thonë se Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-ve (NSA) ka qasje në sistemin e brendshëm bankar SWIFT, për të monitoruar lëvizjen e parave në disa banka të Lindjes së Mesme dhe Amerikës Latine.

“Aty përfshihet kodi i kompjuterit, i cili mund të adaptohet nga kriminelët për të hyrë në serverët e SWIFT dhe për të monitoruar aktivitetin e mesazheve”, tha Shane Shook, një këshilltar për çështje sigurie sajber, i cili u ka ndihmuar bankave për të hetuar hyrjet në sistemin e tyre SWIFT.

Dokumentet dhe dosjet janë lëshuar nga një grup, i cili veten e quan The Shadow Brokers. Disa nga të dhënat përmbajnë vulat e NSA, por Reuters nuk ka mund të konfirmojë autencitetin e tyre.

NSA nuk ka komentuar ende pohimet.

Shook tha se hakerët kriminelë mund të përdorin informacionet e lëshuara që të hakojnë bankat dhe të vjedhin para në operacione duke imituar plaçkitjen e vitit të kaluar të 81 milionë dollarëve nga Banka Qendrore e Bangladeshit.

Sistemi i mesazheve SWIFT përdoret nga bankat për të transferuar miliarda dollarë çdo ditë. SWIFT ka bërë të ditur sot, se nuk ka evidenca se rrjeti i saj kryesor është hakuar.

Është e mundshme që sistemi lokal i mesazheve të disa bankave klientë të SWIFT të jetë thyer, thuhet në kumtesën e SWIFT, e cila nuk përmend NSA-në.

“Nuk kemi evidenca që sugjerojnë se ka pasur ndonjë qasje të paautorizuar në rrjetin tonë, ose në shërbimin e mesazheve”, thuhet në kumtesën e SWIFT për Reuters.

Kur kriminelët sajberë kishin plaçkitur Bankën Qendrore të Bangladeshit vitin e kaluar, ata kishin komprometuar rrjetin e bankës lokale, në mënyrë që të bëjnë transferimin e parave nga llogaria.

Dokumentet e lëshuara nga Shadow Brokers të premten tregojnë se NSA mund të ketë pasur qasje në rrjetin e SWIFT përmes shërbimeve të byrove. Byrotë e shërbimit SWIFT janë kompani, të cilat krijojnë qasje në sistemin e SWIFT për klientë të vegjël të rrjetit dhe mund të dërgojnë ose të pranojnë mesazhe lidhur me transferimin e parave në emër të tyre.

“Nëse ju hakoni byronë e shërbimit, kjo nënkupton se ju, po ashtu, keni qasje në të gjithë klientët e saj, nga të gjitha bankat”, tha Matt Suiche nga Comae Technologies, e cila ka studiuar dokumentet e lëshuara nga grupi Shadow Broker dhe beson që grupi ka qasje në dosjet e NSA-së.

“Dokumenti i postuar nga Shadow Broker përfshin dosjet në programin excel që liston kompjuterët në rrjetin e byrosë së shërbimit, emrat e përdoruesve, fjalëkalimet dhe të dhëna tjera”, tha Suiche, duke shtuar se këtë informatë “ju mund ta keni vetëm nëse e keni komprometuar sistemin”.

Shumë nga teknikat e hakimit të NSA të identifikuara në dokumentet e Shadow Broker duket të kenë pasur për cak sistemet e vjetra të operimit Windows, përfshirë edhe Windows XP.

Back to top button