NSA nuk ka komentuar pohimet

NSA nuk ka komentuar pohimet

Hakerët rusë kanë vjedhur sekrete kibernetike amerikane, pasi që një kontraktues i NSA ka vendosur të dhëna të ndjeshme në kompjuterin e tij, në të cilin kishte të instaluar antivirusin e ndaluar nga Qeveria amerikane, Kaspersky.

Qeveria ruse ka mbështetur hakerët rusë për të vjedhë të dhëna të klasifikuara si sekrete në vitin 2015 nga Agjencia për siguri nacionale NSA, shkruan gazeta The Wall Street Journal.

Një kontraktor i NSA kishte vendosur të dhëna sensitive në kompjuterin e tij shtëpiak, në të cilin kanë depërtuar hakerët rusë.

Ata kanë vjedhur informacione që kanë të bëjnë me penetrimin e rrjeteve të huaja në kompjuterë dhe për mbrojtje nga sulmet kibernetike.

NSA nuk ka komentuar pohimet, ndërsa agjencia e lajmeve Reuters nuk ishte në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur raportin.

Senatori republikan, Ben Sasse, tha se nëse kjo është e vërtetë, atëherë detajet e raportit janë alarmuese.

Gazeta The Wall Street Journal, po ashtu, raporton se antivirusi i përdorur i takon kompanisë Kaspersky Lab, duke thënë se hakerët rusë mund të kenë përdorur programin për të identifikuar dhe sulmuar skedarët e kontraktuesit.

Produktet e Kaspersky janë ndaluar në SHBA, për shkak të dyshimeve muajve të fundit se ato mund t’i ndihmojnë Kremlinit për të spiunuar.

Megjithatë, kompania me bazë në Moskë ka hedhur poshtë akuzat.