Hallakamë në Prishtinë, KAWA Group thotë se “zhurma” është nxitur mbi një paragjykim!

“KAWA Group” nuk ka leje ndërtimi

E gjithë Prishtina është bërë hallakamë pas lajmit për ndërtimin e kompleksit  “Lakeside Gardens” në skaje të liqenit të Badocit. Por Kompania e cila planifikon të ndërtojë këtë mini- qytet në fakt ende nuk ka leje ndërtimi.

Drejtori për marrëdhënie me publikun në “KAWA group”, Uran Haxha, tha për 21Media se kanë marrë kushtet e ndërtimit por ende nuk kanë leje të ndërtimit. “Ne deri tash i kemi të marra kushtet ndërtimore. Ato kushte janë  marrë nga Komuna e Prishtinës pas një vendimi për mjedis dhe planifikim hapësinor  të cilat i thonë Komunës së duhet më u leshu këto kushte. Kushtet janë të lëshuar në bazë të plani zhvillimor komunal të Prishtinës, i cili është votuar në vitin 2013, plani i cili është i parashikum për planifikimin e qytetit deri në 2022. Ne pas kësaj kemi filluar punën, dhe jemi duke përgatitur dokumentet për të marrë pëlqimin mjedisor nga Ministria  dhe pas marrjes së pëlqimit mjedisor do të aplikojmë për lejen”, sqaroi Haxha.

Por, përderisa Kompania “KAWA group”, thotë së kanë marrë kushtet e ndërtimit, Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ditë më parë kishte deklaruar se Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore. “Në këtë procedurë është qe disa vite”, kishte thënë ai.

Për të sqaruar këtë çështje sot nga 21Media është kontaktuar drejtori i Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes se Mjedisit në Komunën e Prishtinës, Ardian Olluri, i cili ka refuzuar të përgjigjet, duke na drejtuar te Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Prishtinës. Ndërkohë që  këta të fundit nuk kanë qenë të qasshëm.

Qytetarë, aktivistë të mbrojtjes së ambientit e politikanë kanë dalë në kundërshtim të këtij projekti. Reth 25 mijë persona janë bashkuar në një grup në Facebook ndërsa ka nisur edhe një peticion online për kundërshtimin e këtij ndërtimi.

Këtë iniciativë sot e ka mbështetur edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, që vjen nga Prishtina, Eliza Hoxha. “Prishtina ka nevojë për Badofcin natyral me infrastrukturë që e shndërron atë në destinacion natyror si resurs kombëtar i mbrojtur me ligj”, theksoi ajo. Derisa ftoi të gjithë asamblistët që t’i përgjigjen iniciativës së PDK-së për mbajtjen e një seancë lidhur më këtë rast.

Por, “KAWA gruop” nuk e ka ndërmend të ndalet. Thonë se iniciativat qytetare janë ndërtuar mbi një paragjykim.  “Realisht, ne këto nisma, organizime qytetare, peticione, gjitha janë forma, vlera e demokracisë të cilat ne i vlerësojmë por në këtë rast janë të nxitura mbi një paragjykim. Edhe ata janë të lirë të kërkojnë të drejtën e tyre, të avokojnë për mendimin që kanë rreth projektit! Por, do të ishte mirë se pari njëherë të informohen plotësisht për projektin e pastaj të avokojnë këto nisma. Ne nuk jemi kundër këtyre nismave!”, tha Uran Haxha për 21Media. Ndërsa për seancën e iniciuar nga PDK, tha se “Ata munden me mbledh seancën mund të shikojnë çka munden me bo ne do ta përcjellim. Ne do t’i përcjellim me vëmendje e më pas shohim. Por gjithçka do të jetë sipas planit zhvillimor të 2022”, tha Haxha, derisa u shpreh i bindur se projekti i tyre do të realizohet. “Po na do t’i plotësojmë gjitha kushtet dhe në momentin që i plotësojmë do të marrim lejen automatikisht, kjo është shumë e thjeshtë”, u shpreh optimist Haxha.

Por nga ana tjetër “KAWA group” nuk ka një datë kur sakt do të fillojë ndërtimi. “Sikur në gjithë Kosovën ndërtimi fillon në kohën kur merret leja por një herë do të marrim pëlqimin e më pas do të aplikojmë për leje . Varet sa zgjasin procedurat. Nuk është në dorën tonë”, theksoi Haxha.

Projekti parasheh ndërtimin e 17 shtëpive por gjerësia e hapësirës dhe kostoja e tij nuk është bërë e ditur. /21Media

[Së shpejti detaje të tjera]

Back to top button