Hamza: Kosova do ta përmbyllë vitin me rritje ekonomike të lartë

Hamza tha sektori financiar në Kosove do të vazhdoj të jetë një nga mbështetësit kryesor të rritjes ekonomike

Ministri i Financave, Bedri Hamza, deklaroi sot se sipas trendit të rritjes ekonomike, Kosova duket se do të përmbyllë vitin 2017 me një rritje mjaft të lart dhe kjo rritje presim të vazhdoj edhe në vitet në vijim.

Ai këto komente i bëri në konferencën ndërkombëtare “Qasja në Financa, Kreditimi Bankar dhe Sektorët Bankarë në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”, organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Banka Kombëtare e Austrisë dhe Banka Investive Evropiane.

Hamza tha se organizimi i këtij forumi ka për qëllim diskutimin e çështjeve me rëndësi dhe duke u mbështetur në përvojat dhe ekspertizat, të punohet për reforma të mëtutjeshme, në funksion të rritjes më të shpejtë dhe të qëndrueshme.

“Koha kur po mbahet kjo konferencë, është mjaft inkurajuese, me vetë faktin se prospektet për rritje ekonomike për regjionin dhe Evropën në përgjithësi, duket të jenë mjaft më optimiste se më parë. Këtu po i referohem raportit më të fundit të FMN-së ‘Regional Economic Outlook’, ku ndër të tjera, thotë se ‘Rimëkëmbja në Evropë ka fituar në shpejtësi ku rritja reale e GDP-së për 2017 pritet të jetë 2.4%, që është mjaft më e lart se 1.7% në 2016’”, tha Hamza.

Ai shprehu bindjen se sektori financiar në Kosovë do të vazhdoj të jetë një nga mbështetësit kryesor të rritjes ekonomike.

“Për sa i përket stabilitetit fiskal, Qeveria e Kosovës si gjatë viteve të kaluara, dhe në vitet në vijim, do të vazhdoj me politikat e saja buxhetore të kujdesshme, për tu siguruar se deficiti buxhetor mbetet në nivelet e pranueshme; që përbërja strukturore e buxhetit të jetë adekuate, dhe që niveli i borxhit publik të jetë i menaxhueshëm. Ndërsa, për sa i përket reformave strukturore, ne kemi bërë një punë mjaft premtuese, gjë që është reflektuar me raportin më të fundit të Bankës Botërore ‘Të Bërit Biznes’. Sipas këtij Raporti, Kosova renditet në top-dhjetëshin e vendeve më reformatore në Botë, dhe ka kërcyer për 20 vende të renditjes botërore, duke arritur kështu në vendin e 40”, ka thënë ministri Hamza.

Back to top button