Hamza: Pa rritjen e cilësisë në sektorin privat, s’mund të jemi konkurrent

Organizohet tryeza me temën “Indeksi i zhvillimit të sektorit të prodhimit”

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OAK) bëri të ditur se deficiti tregtar në fund të vitit të kaluar ka arritur shumën 2,7 miliardë euro, ndërkohë që kjo shifër pritet të arrijë deri në 3 miliardë euro.

Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, në tryezën e organizuar me temën “Indeksi i zhvillimit të sektorit të prodhimit”, tha se në një hulumtim të kësaj Ode del se sundimi i ligjit dhe tregtia e brendshme, mbeten ende brengë për prodhuesit kosovarë.

“Shifrat, megjithatë, nuk janë shumë shpresëdhënëse, nuk janë shumë optimiste. Deficiti tregtar në fund të vitit të kaluar ka arritur shumën 2,7 miliardë euro, që përbën diku mbi 40 për qind të bruto-produktit  vendor, krahasuar me vitin paraprak, pavarësisht se në dy muajt e fundit të vitit 2018, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vënë tarifa ndaj produkteve të importuara nga dy shtetet, nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Si do të jetë ky vit, mbetet që të presim edhe disa muaj tjerë, megjithatë pritjet janë që nëse ndiqen pritjet e kaluara, atëherë ky deficit ta arrijë vlerën diku 3 miliardë euro”, tha ai.

Zeka tha se rekomandimet në këtë analizë janë të bazuara edhe në studimet paraprake të OAEK, për çka ai ka rekomanduar vazhdimin e masave të reja fiskale e po ashtu edhe në krijimin e lehtësirave tatimore.

Visar Hapçiu, udhëheqës i Institutit për Hulumtime Ekonomike të Odës Amerikane, tha se për këtë studim kanë kryer anketat me 40 kompani prodhuese nga rajone të ndryshme të Kosovës, ku pjesëmarrjen më të madhe kanë pasur kompanitë nga rajoni i Prishtinës dhe Prizrenit.

“Indeksi i fuqisë punëtore ka shënuar vlerën prej 4,88 nga gjithsej 10, që është vlerësimi maksimal. Pas indeksit të fuqisë punëtore, i kemi pyetur kompanitë edhe për mjedisin fiskal, në këtë aspekt edhe siç pritet, ata kanë një vlerësim shumë të mirë për normat tatimore në Kosovë. Shohim një qasje më pozitive sa i përket mjedisit fiskal, kjo ndoshta edhe për shkak që legjislacioni tatimor ndër vite është përmirësuar dhe bizneset në masë të madhe kanë pasur mundësi që të japin rekomandimet e tyre, se si mendojnë që mjedisi fiskal duhet të zhvillohet në vend. Ndoshta e vetmja fushë pak më negative, në kuadër të mjedisit fiskal, respodentët e kanë vlerësuar mungesën e një sistemi efektiv për zgjidhjen e konteksteve me ATK dhe Doganat e Kosovës”, tha Hapçiu.

Megjithatë, sundimi i ligjit dhe tregtia e brendshme, mbeten ende brengë për prodhuesit kosovarë. Hapçiu  thotë se indeksi i sundimit të ligjit është 4,19 e tregtia e brendshme me 4,38, ku si të tilla janë më pak të vlerësuara nga respodentët.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se ky studim i adreson pikërisht fushat, të cilat duhet të përmirësohen. Sipas tij, Kosova vazhdon të ketë pozitë të qëndrueshme makrofiskale, me borxh më të ulët publik në Evropë.

“Deficiti i lartë tregtar, neve na tregon që ne kemi nevojë për reforma të thella strukturore në ekonomi. Ne kemi nevojë të ndërrojmë strukturën e ekonomisë edhe të shkojmë në favor, në përkrahje të bizneseve dhe të prodhuesve. E para të bëjmë softimin e prodhuesve, të cilët importojnë dhe e dyta ndërmarrjet tona të përgatiten për eksport. Po masat administrative, po politikat fiskale, këto të gjithat janë të nevojshme, po sundimin e rendit edhe ligjit, por mbi të gjitha po e them, pa u rrit produktiviteti, cilësia në sektorin privat nuk mund të jemi  konkurrent, nuk mund me qenë konkurrent në treg kur nuk je produktiv”, tha Hamza.

Durim Limaj nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, tha se prioritet këtë vit është rritja e prodhimit dhe përkrahja e prodhimit vendor, pasi që të njëjtit  për një kohë të gjatë kanë qenë të diskriminuar.

“Për 20 vjet prodhimet dhe prodhuesit  kosovarë kanë qenë të diskriminuar, për më tepër janë profilizuar prodhuesit dhe prodhimet e huaja duke ndikuar direkt në mos zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo ka ndodhur për shkak të shumë arsyeve, por arsyeja kryesore ka qenë mungesa e pjesëmarrjes në vendimmarrje gjatë negocimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, siç është CEFTA”, tha ai.

Limaj tha se MTI është e interesuar për të krijuar hapësirë të nevojshme të prodhimit vendor në tregtinë vendore, ku sipas tij tani më janë edhe në proces të hartimit të draft-ligjit për tregti të brendshme. Në studimin e Odës Amerikane Ekonomike del se qasja në financa është 4.83, infrastruktura e cilësisë 4.87, fuqia punëtore 4.88, infrastruktura mbështetëse 4.98, mjedisi fiskal 5.48 dhe tregtia ndërkombëtare me 6.42.

Sipas vlerësimit të indekseve, vlerësimin më të mirë e ka mjedisi fiskal dhe tregtia ndërkombëtare, ndërsa më e dobëta është sundimi i ligjit dhe tregtia e brendshme.

Back to top button