Hamza: S’ka rishikim të buxhetit, është shpenzuar 9.7 për qind më shumë se vjet

Krahas rritjes së të hyrave, ka pasur edhe rritje të shpenzimev

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka prezantuar sot raportin gjashtëmujor të trendeve fiskale.

Sipas raportit të tij, të hyrat buxhetore kanë pasur një rritje prej 6 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2017.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se Dogana dhe ATK-ja kanë arkëtuar 40 milionë euro më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Por, krahas rritjes së të hyrave, ka pasur edhe rritje të shpenzimeve. Gjatë gjashtëmujorit të parë janë shpenzuar 844 milionë euro apo 9.7 për qind më shumë se sa vitin e kaluar.

Në këtë rritje ka ndikuar edhe rritja e pagave sipas ligjit dhe sipas vendimit të Qeverisë. Nga 274.17 milionë euro sa ishin shpenzuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, kjo shumë është rritur për afro 20 milionë, përkatësisht në 293.82 milionë euro.

I pyetur nga gazetarët se pse nuk do të ketë rishikim të buxhetit, ai ka thënë se buxheti është i planifikuar mirë dhe se nuk ka nevojë për rishikim.

Ka përmendur sigurimin e mjeteve për rrugën Prishtinë-Pejë përmes kredisë dhe mjetet e siguruara nga AKP-ja.

Ka thënë se të gjitha organizatat buxhetore mund të bëjnë lëvizje brenda kuadrit ligjor dhe se nuk rrezikohet ndonjë projekt i planifikuar.

Back to top button