Hamza tregon sa do të jetë rritja ekonomike në 2018-ën

Hamza potencoi se do të financohen të gjitha politikat me prioritetet të qeverisë

Ministri i Financave, Bedri Hamza në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se përmes buxhetit për 2018 është bërë shpërndarja më e mirë e mundshme e parasë publike.

Gjatë përgatitjes së buxhetit ai tha se janë fokusuar në vitin 2018, por duke parasysh implikimet edhe për vitet vijuese dhe ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit fiskal.

“Me politikat tatimore do të jenë mbështetëse për zhvillimin e sektorit privat, ne do të bëjmë lehtësira të reja për prodhuesit dhe përpunuesit vendorë dhe kjo do të zhvillojë një ambient më të përshtatshëm për zhvillimin e bizneseve”, ka thënë ministri Hamza.

Te shpenzimet buxhetore, ai potencoi se do të financohen të gjitha politikat me prioritetet të qeverisë do të ketë rritje të pagave dhe do të ketë financim të qëndrueshëm për skema sociale dhe kategoritë e dala nga lufta.

“Në vitin 2018 rritja ekonomike e vendit përmes GDP do të jetë 4.6 për qind”, ka thënë ai.

Rritje të njëjtë sipas tij ka projektuar edhe Banka Botërore, madje kjo e fundit parasheh rritje më të lartë prej 4.8 për qind, apo 0.2 për qind më shumë se sa që ka parashikuar Ministria e Financave.

Back to top button