Handke humb durimin

Handke humb durimin

Laureati austriak i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke ka anuluar një konferencë për media në vendlindjen e tij Grifen, e cila ishte paraparë për sot. Lajmin e bëri të ditur administrata e qytetit.

Handke ka thënë se nuk do t’iu përgjigjet më pyetjeve të gazetarëve, pasi u përball me një valë kritikash për mbështetjen e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq.

Shkrimtari duket se e humbi durimin të martën mbrëma në Grifen, kur gazetarët e pritën në një takim me politikanët lokalë dhe e pyetën në lidhje me akuzat se ai i ka injoruar krimet e Serbisë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Secili bën pyetje si ju dhe secili që më drejtohet duket se nuk ka lexuar apo nuk di asgjë për çfarë kam shkruar. Unë jam shkrimtar, unë jam i lidhur me Tolstoyn, me Homerin, me Cervantesin. Më lini të qetë dhe mos më bëni pyetje të tilla“, tha Handke, duke përjashtuar mundësinë e ndonjë interviste tjetër.

Vendimi i Akademisë suedeze të Shkencave për t’i dhënë “Nobelin për Letërsi” Handkes shkaktoi kritika në gjithë botën, sidomos në Ballkan./21Media