Hani i Elezit ende po përballet me pengesa nga institucionet qendrore

Sfidat e Komunës së Hani i Elezit

Me mungesë të ujit të pijes po vazhdojnë të përballen banorët e Hanit të Elezit, ani pse ka vite që është ndërtuar fabrika për përpunimin e ujit në këtë komunë. Sfidë tjetër është me pastrimi i lumit Lepenc nga mbetjet e azbestit, si dhe çerdhja e fëmijëve, e cila është ndërtuar par dy viteve por që ende nuk kanë marrë leje nga Ministria e Arsimit. Kështu thotë në një intervistë për kp kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, sipas të cilit funksionalizimi i fabrikës së ujit nuk është bërë për shkak se kompania regjionale “Bifurkacioni”, nuk e ka marrë nën menaxhim, ani pse kishte nënshkruar një marrëveshje të mirëkuptimit me komunën e Hanit të Elezit.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, thotë se problem i ujit të pijes është i kamotshëm dhe se problemi kyç qëndron në atë se uji që vije nga përroska e Dimcës, e përmes të cilit duhet të furnizohet gjyma e Hanit të Elezit, aktualisht është i papijshëm.

“Problemi këtu qëndron në atë se nga viti 2009 është ndërtuar një fabrikë për përpunimin e ujit në fshatin Dimcë, në përroskën e fshatit Dimcë, mirëpo edhe pse është ndërtuar ajo fabrikë që ka kushtuar më tepër se 450 mijë euro, ajo tani është jashtë funksionit për shkak se nga momenti kur është bërë prerja e shiritit, kompania regjionale ‘Bifurkacioni’ nuk e ka marrë përsipër ta trajtojë këtë ujë, për shkak se është arsyetuar se nuk është obligative edhe pse ka nënshkruar marrëveshje të mirëkuptimit. Ne i kemi bërë qysh në atë kohë nga viti 2009, 2010 vazhdimisht edhe kompanisë ‘Bifurkacioni’, edhe Qeverisë së Kosovës kërkesa të vazhdueshme që ta merr përsipër menaxhimin e ujit, mirëpo kjo nuk ka ndodhur asnjëherë saqë jemi detyruar që të ndërpritet puna pas punës 2, 3 mujore që ka punuar fabrika e ujit”, thotë ai.

Kreu i Hanit të Elezit thotë se pasi që nuk ishte ndërmarrë asgjë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe as nga qeveria e vendit, si Kuvend Komunal kishin themeluar një kompani lokale për menaxhimin e ujit, por që nisma u kishte mbetur në gjysmë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që nuk i kishte lejuar të vazhdojnë tutje për themelimin e kësaj kompanie.

Suma thotë se për vitin 2020 projekt kryesor është funksionalizimi i kësaj fabrike, derisa ka një lutje për institucionet qendrore se nëse nuk e marrin përsipër funksionalizimin të paktën t’i lejojnë që si komunë ta menaxhojnë vet.

“Ne kemi kërkuar vazhdimisht edhe nga institucionet e nivelit qendror, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, por edhe në zyrën e kryeministrit që është zyrtari i task forcës së ujërave pranë zyrës së kryeministrit që ose ta detyrojë CDI-në dhe kompaninë regjionale që të menaxhojë me ujin ose të na lejojë neve që të themelojmë një kompani publike lokale, ashtu siç është themeluar kompania publike për mbeturina, që tani nuk kemi asnjë problem. Kërkojmë që me çdo kusht nëse nuk e merr përsipër ‘Bifurkacioni’, atëherë më mirë le të na lejoj sepse ne si komunë të menaxhojmë vet. Problemi apo sfida kryesore ka qenë problemi i ujit”, deklaron ai.

Sfidë tjetër me të cilën po përballet kjo komunë është pastrimi i lumit Lepenc nga mbetjet e azbestit. I pari i kësaj komune, thotë se beson që gjatë këtij viti që kemi hyrë do të bëhet pastrimi i tërësishëm i këtij lumi.

“Sfidë tjetër kemi pasur me pastrimin e lumit Lepenc nga mbetjet e azbestit. Siç dihet në Han të Elezit para luftës ka funksionuar fabrika për prodhimin e azbestçimentos, mirëpo të gjitha ato mbetjet e azbestit gjithmonë janë hedhur në brigjet e lumit Lepenc dhe pas luftës nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për disa vite është shpallur një tender për pastrimin e mbetjeve të azbestit përgjatë brigjeve të lumit Lepenc, kështu që para tri, katër vitesh është realizuar një projekt, por fatkeqësisht nuk e ka dhënë atë efektin për çka është realizuar projekti, për shkak se qëllimi i tij ka qenë largimi i të gjitha mbetjeve të azbestit nga brigjet e lumit Lepenc. Ministria e Mjedisit ka harxhuar më tepër se 1 milion e 350 mijë euro për realizimin e këtij projekti, po fatkeqësisht jo vetëm që nuk janë larguar mbetjet e azbestit, por në shumë vende mbetjet e azbestit v etëm sa kanë dal mbi sipërfaqe”, thotë Suma.

Ai thotë se në vazhdimësi kanë kërkuar nga Ministria e Mjedisit që të vazhdojë ky projekt, por shton se nuk kanë marrë një përgjigje konkrete. Tash Suma bëri të ditur se janë duke biseduar me Bankën Botërore për ta përfunduar këtë projekt.

Komunës së Hanit të Elezit, problem i ka dal edhe me Ministrinë e Arsimit, pasi kjo e fundit nuk po e jep lejen për funksionalizimin e çerdhes së qytetit.

Kreu i Hanit të Eleit Rufki Suma, në një intervistë për KosovaPress, bëri të ditur se para dy vitesh me mjete të komunës është ndërtuar çerdhja e fëmijëve, por që mos dhënia e lejes nga Ministria e Arsimit e ka lënë këtë çerdhe të pa shfrytëzueshme.

“Çerdhja e fëmijëve është ndërtuar para dy vitesh, objekti ekziston, e kemi pajisur me të gjitha pajisjet e domosdoshme për funksionalizimin e kësaj çerdhe. Por fatkeqësisht edhe pas ndërtimit, pas pajisjeve që ne i kemi siguruar për çerdhe ende nuk është dhënë leja nga Ministria e Arsimit. Kërkesën vazhdimisht që dy vite që e kemi dërguar në Ministrinë e Arsimit. Ata arsyetohen me atë se kërkesa jonë është përcjellë për Ministri të Financave, por realisht kur kemi pyetur në Ministri të Financa shumë herë na është thënë se nuk kemi pas kërkesë nga Ministria e Arsimit”, shprehet Suma.

Ai u shpreh se beson që në buxhetin e vitit 2020 të parashihet edhe funksionalizimi i kësaj çerdhe, pasi sipas tij, është shumë e nevojshme për këtë komunë.

Një projekt tjetër që pret të përfundohet në vitin 2020, është shtëpia e kulturës, që ka filluar të ndërtohet gjatë vitit të kaluar.

“Ne kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërtimin e shtëpisë së kulturës në Han të Elezit edhe pse ne më herët e kemi pasur një objekt të vjetruar, një objekt që ka qenë i ndërtuar para dhjetëra vitesh, është rrënuar ai objekt në tërësi. MKRS ka premtuar 250 mijë euro për ndërtimin e kësaj edhe pse me ministrin jemi dakorduar që edhe nëse do të ketë nevojë më tepër do të participojmë. Për momentin është në fazën e punimeve, do të thotë është ndërtuar bodrumi i objektit, është në ndërtim tani shtëpia e kulturës. Vetëm faza e parë kushton 430 mijë euro, do të thotë ndërtimi i objektit, pastaj me siguri se do të ketë edhe një fazë tjetër kompletimi i sallës dhe pajisjet. Besojmë që ky projekt do të kap një vlerë më tepër se 700 mijë euro. Njëherë për njëherë është mirë duke ecur punimet në këtë ndërtim, besojmë që edh e në vitin 2020 do të përfundojë”, thotë ai.

Komuna e Hanit të Elezit gjatë vitit 2019 ka realizuar projekte të ndryshe infrastrukturore, ku kryetari Suma thotë se nuk ka fshat në këtë komunë që nuk i ka rrugët e asfaltuara. Po ashtu, ai bëri të ditur se kanë vazhduar me projektet për ndriçimin publik në të gjitha fshatra, ndërsa premtoi se edhe gjatë këtij vitit do të vazhdojnë me projekte në të mirë të qytetarëve.

Back to top button