Hapet edicioni i 7-të i Panairit Virtual të Karrierës

Panairi do të jetë i hapur tri ditë, 23, 24, 25 Maj 2017

Sot në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të bëhet hapja solemne e edicionit të 7-të të Panairit Virtual të Karrierës të organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës.

Në këtë panair marrin pjesë 35 institucione, kompani dhe organizata të cilat ofrojnë për studentët dhe të diplomuarit e UP-së informacione rreth mundësive për punësim, punë praktike, bursa, trajnime, kurse, etj.

Të pranishmëve do t’i drejtohet rektori i UP-së, Marjan Dema, prorektorja Pustina – Krasniqi, përfaqësuesit e sponsorëve mbështetës dhe disa nga përfaqësuesit e kompanive dhe institucioneve pjesëmarrëse.

Përveç kompanive që ofrojnë vende të punës dhe punë praktike, organizatave që do të ofrojnë informata rreth bursave, kurseve, trajnimeve e shërbimeve tjera, në këtë panair maturantët do të gjejnë informata për programet e studimit të UP-së, për studentët dhe të diplomuarit që duan të aplikojnë për punë ose punë praktike do të jenë në dispozicion shërbimet e këshillimit për përpilimin e CV-së dhe letrës motivuese.

Studentët do të kenë mundësinë të aplikojnë në panair për pozita të lira pune dhe praktikë, ose të informohen për mundësitë e aplikimit online.
Disa nga kompanitë, institucionet dhe organizatat pjesëmarrëse janë: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Administrata Tatimore e Kosovës, Dogana e Kosovës, etj.

Rrafshi Virtual pvk.uni-pr.edu, është një mundësi e re, i cili mundëson që në kohë reale studentët dhe të diplomuarit të marrin informacione për mundësitë që ofron tregu i punës dhe këshilla për edukim dhe orientim në karrierë. Motoja e këtij edicioni është: ‘Komuniko virtualisht, zbulo mundësitë e zhvillimit të karrierës’.

Back to top button