Ekspozitë në muret e bibliotekës "Pjetër Bogdani"

Ekspozitë në muret e bibliotekës “Pjetër Bogdani”

Fotografi të cilat përcjellin një pjesë të përjetimeve të luftës të fundit që ishte zhvilluar në Kosovë, janë vendosur sot në muret e bibliotekës “Pjetër Bogdani”. E protagonistja kryesore e këtyre fotografive është Veronika Zeka, një foshnjë e vogël e sapo kthyer nga malet e Berishës në vendlindje pas përfundimit të luftës.

Madje edhe ekspozita e hapur të hënën ka marrë emrin e saj “Veronikë, 20 vjet…”, ndërsa është e pasur me foto të Hazir Rekës dhe me reportazhe të luftës së fundit në Kosovë, nga gazetarë të huaj. Veronika sot është studente e Fakultetit të Bujqësisë, ndërsa ka ardhur të shoh prej afër fotografitë që i ishin bërë asaj menjëherë pas kthimit në atdhe.

“Për mua është diçka shumë interesante. Gjatë gjithë kësaj kohe që ka kalu, do të thotë 20 vjet, nuk janë edhe shumë pak. Në fotot që shihen këtu, këtu jemi kthyer nga lufta, në bazë të historisë që më kanë treguar dhe i kemi gjetur shtëpitë tona të shkatërruara”, ka deklaruar Zeka.

Profesoresha e Letërsisë Franceze, Nerimane Kamberi ka treguar se ekspozita është bërë në kuadër të një aktiviteti më të gjerë të përkujtimit, për atë se çka kishin përjetuar shqiptarët ndër vite.

“Kjo ekspozitë kryesisht merret me ikjen gjatë ofensivave të 98-ës nëpër malet e Kishnarekës, pra të zonës kryesore të Drenicës dhe me një rrëfim personal të një vajze e cila ishte lindur në mal.”, dhe ka treguar se sot Veronika është studente. Sipas profesoreshës, asaj ia kishte vënë emrin një gazetare franceze dhe rrëfimi i saj ishte prezantuar prej gazetarëve të huaj.

“Ekspozita përbëhet nga fotografi bardhë e zi, të fotografit Hazir Reka dhe fotografitë me ngjyra të historisë së vajzës dhe nënës së saj”, ka thënë Kamberi.

Ndryshe, Ambasada e Francës në bashkëpunim me Shoqatën e Profesorëve të gjuhës frënge të Kosovës ka organizuar sot konferencën “Kosova ashtu siç e kanë ëndërruar”, që ka për qëllim përmes rrëfimeve personale, nisjen e një analize të ngjarjeve të luftës që kanë ndodhur 20 vjet më parë. Nga aty ka dalë mesazhi se nëpërmjet syve të fëmijëve dhe gëzimit të tyre, njerëzit obligohen të mendojnë për paqen.