Në Manastir hapet kolonia artistike

Në Manastir hapet kolonia artistike

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë, Valmir Aziri sot ka marrë pjesë në hapjen e Kolonisë Artistike me rastin e 22 nëntorit-Ditës së Alfabetit.

Sekretari shtetëror Aziri theksoi se sot në Manastir hapet kolonia artistike ku do të pikturohen figurat e 11 komisionerëve në Kongresin e Manastirit dhe të njëjtat do të ekspozohen në qytetin e Alfabetit me rastin e 109 vjetorit.

“Gjatë këtyre ditëve në kuadër të kolonisë do të pikturohen figurat e 11 pjesëmarrësve në Kongresin e Manastirit dhe më pas më 22 nëntor do të ekspozohen këtu në Manastir”, theksoi Aziri.

Ai më tej u shpreh se me hapjen e ekspozitës fillojnë edhe aktivitetet për shënimin e 22 Nëntorit –Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Këtë vit nën përkujdesjen e zëvendëskryeministri Hazbi Lika do të mbahen disa aktivitete për shënimin zyrtarë të kësaj date të rëndësishme. Ngjarja kryesore do të mbahet në Shkup dhe Manastir më 22 nëntor. Në Shkup do të organizohet Akademi solemne në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, ndërsa më pas do të vizitohet Muzeu i Alfabetit. Në mbrëmje në Shtëpinë e Kulturës në Manastir do të mbahet edhe Koncerti solemn.

Ndërkaq, më 21 nëntor në qytetin e Manastirit do të mbahet një Tribun shkencore kushtuar Kongresit të Alfabetit. Në këtë Tribunë do të marrin pjesë studiues të shkencave Albanologjike nga Institucionet shkencore shtetërore nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.