Hapet konkurs për tri paralele në gjuhën shqipe

Në dy shkolla fillore  “Goce Dellcev” dhe “Krste Petkov Misirkov” në Manastir ka nga dy paralele në gjuhën shqipe

Sunaj Miftari është nxënës i vitit të katër në shkollën e mesme “Josip Broz Tito” në Manastir. Ai që nga shkolla fillore mësimin e ka ndjekur në gjuhën maqedonase dhe pastaj po ashtu ka vazhduar arsimimin e tij në gjuhën maqedonase.

“Sinqerisht unë edhe shkollën fillore e kam ndjekur në gjuhën maqedonase dhe kjo gjë nuk më ka paraqitur problem. E njëjtë është për mua. Unë di katër gjuhë, mund të flas në të katërtat, pa asnjë problem”, tha ai. 

Sunaj ndjehet më i sigurt kur flet maqedonisht. Gjuhën shqipe më tepër e kupton, por nuk e flet aq rrjedhshëm, shkruan tv21.tv

Në shkollën e mesme komunale “Taki Daskallo” do të hapen dy paralele me mësim në gjuhën shqipe, ndërsa paralelja e tretë shqipe do të hapet në shkollën e mjekësisë, “D-r Jovan Kallauzi”. Këshilltarja për arsim në komunën e Manastirit, Snezhana Petrovski, thotë se tashmë disa vite po shpallet konkurs për hapjen e paraleleve shqipe në Manastir, por deri tani numri i nxënësve për hapjen e tyre ka qenë i pamjaftueshëm.

“Sipas numrit të nxënësve shqiptarë të cilët mbarojnë arsimin fillor në gjuhën shqipe, ekziston mundësia për formimin e paraleleve. Por, kjo varet nga interesi personal i nxënësve se në cilën shkollë do të regjistrohen. Për shembull, nëse një grup i caktuar e mbaron arsimin fillor dhe regjistrohet në një shkollë, duhet të ketë interes nga një grup më i madh që të hapen paralelet. Ju e dini që nxënësit kanë interesa të ndryshëm”, tha Snezhana Petrovska, Këshilltare për arsim në komunën e Manastirit.

Në Manastir ka 7 shkolla të mesme, gjashtë prej të cilave janë komunale, ndërsa vetëm një është shtetërore. Në dy shkolla fillore “Goce Dellcev” dhe “Krste Petkov Misirkov” ka nga dy paralele në gjuhën shqipe.

“Ndodhemi para gjimnazit “Taki Daskallo” në Manastir, ku Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dërguar kërkesë për formimin e paraleleve në gjuhën shqipe. Drejtori i kësaj shkolle nuk dëshiron të flas para kamerave të TV21, por në bisedë telefonike deklaroi se ende nuk ka nxënës të interesuar të cilët duan të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe”. 

Asnjëri nga drejtorët e 7 shkollave të mesme në Manastir nuk donin të flisnin për paralelet shqipe. Sipas statistikave komunale, vitin e kaluar, në Komunën e Manastirit,  arsimin fillor në gjuhën shqipe e kanë mbaruar rreth 50 nxënës, por asnjëri nga ata nuk e ka vazhduar arsimin në gjuhën amtare. Nga komuna e Manastirit informojnë se nuk është hera e parë të shpallet konkurs për hapjen e paraleleve shqipe në shkollat e mesme, por shtojnë se gjatë viteve të kaluara nuk është plotësuar numri minimal i nxënësve për formimin e paraleleve./21Media

Back to top button