Hapet “Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar – Prishtina 2018”

Ky panair forcon urat e bashkëpunimit

Sot në ora 11:00 do të bëhet hapja e “Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar – Prishtina 2018” i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ky Panair ka rëndësi të madhe për Kosovën, rajonin dhe me gjerë. Një Panair që ofron komunitetin e biznesit dhe i forcon urat e bashkëpunimit, ura të cilat forcojnë rrugëtimin drejt familjes evropiane.

Në këtë edicion marrin pjesë më shumë në 160 ndërmarrje nga Kosova, rajoni dhe vendet e Evropës, faktorë të cilët e bëjnë këtë Panair, Panairin më të madh dhe më të vizituar në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, në ceremoninë e hapjes do të jenë të pranishëm struktura politike vendore, rajonale dhe më gjerë.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës më herët ka ftuar bizneset që ta bojkotojnë këtë Panair pasi që siç kanë thënë ata u është dhënë hapësirë bizneseve nga Serbia.

Ndërsa, Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar  duke thënë se në vazhdën e sulmeve të OJQ-së që pretendon që përfaqëson prodhuesit e vendit, ndaj Odës Ekonomike të Kosovës, sot ishte një ftesë e paprecedentë për bojkot të Panairit më të rëndësishëm që organizohet në vendin tonë, për shumë vite me radhë, nga Oda Ekonomike e Kosovës.

“Kjo OJQ, ose më mirë të themi, një pjesë e kësaj OJQ-je, dezinformon në mënyrë të papërgjegjshme, duke pretenduar që taksat e tatimpaguesve të vendit tonë po përdoren për promovim të produkteve serbe dhe që kompanitë prodhuese kosovare, nuk kanë pasur as ftesë për pjesëmarrje në këtë Panair. Këto dy fakte të fabrikuara dëshmojnë qartë, që ftesa për bojkot është një tendencë për promovim të një patriotizmi të rrejshëm, siç është bërë modë në këtë vend, pasi që është shumë e qartë që pjesëmarrjen e ndërmarrjeve serbe e subvencionon Oda Ekonomike e Serbisë, ndërsa ftesën për pjesëmarrje e kanë pranuar  rreth 16,000 anëtarë të Odës ekonomike të Kosovës”, thuhet në reagimin e OEK-së./21Media

Back to top button