Hapet periudha e aplikimit për integrimin socio-ekonomik të fermave të vogla

Investimet e ministrisë përmes Programit arrijnë vlerën prej 3 milionë euro

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që nga nesër hap periudhën për aplikim në “Programin për Integrimin Social – Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet”.  Përmes këtij programi MBPZhR-ja synon përmirësimin e kushteve socio-ekonomike të fermerëve në zonat rurale, krijimin e vendeve të punës, si dhe rritjen e të ardhurave duke integruar fermerët e vegjël në sektorin bujqësor.

Investimet e ministrisë përmes Programit arrijnë vlerën prej 3 milionë euro dhe përmes këtij fondi do të mbështeten sektori i përpunimit të frutave, sektori i mishit, vezëve, qumështit, prodhimi i mjaltit, prodhimi, përpunimi dhe grumbullimi i produkteve pyjore, si dhe përpunimi i produkteve bujqësore në shtëpi.

Përfituesit e këtij programi mund të jenë të gjithë fermerët në përputhje me Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural që plotësojnë kriteret e këtij Programi.

Afati për aplikim për këtë program fillon më 18 shtator dhe përfundon më 18 tetor.

Gjatë periudhës për aplikim, fermerët dhe agrobizneset për të gjitha informatat lidhur me procedurat e aplikimit, kriteret e vlerësimit mund të informohen në detaje në ueb faqen e ministrisë www.mbpzhr-ks.net, si dhe në ueb faqen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë www.azhb-ks.net./21Media

Back to top button