Hapja e korrigjimit të kufirit zhvlerëson zbatimin e marrëveshjeve paraprake

“Çështja e parë që është dashur të implementohet ka qenë themelimi i bashkësisë së komunave serb”

Në rast të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve më së shumti do të humbin serbët që jetojnë në jug të Kosovës.

Kështu u tha në një debat publik në Qendrën Mediale në Çagllavicë, ku u diskutua mbi mundësitë e arritjes së një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Analisti, Behlul Beqaj është shprehur se pa u zbatuar marrëveshjet e para të dialogut teknik, nuk mund të ketë marrëveshje të dytë. Sipas tij, arsye që marrëveshja finale është shumë e vështirë janë deklaratat e presidentit serb, ku thotë se në çfarëdo marrëveshje duhet të pyetet populli.

Beqaj tha se marrëveshjet e supozuara ndërmjet dy shteteve janë shumë larg vullnetit politik të qytetarëve të dy shteteve. Ai konsideron se hapja e korrigjimit të kufirit ka zhvlerësuar gjitha përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve paraprake.

“Politika e korrigjimit të kufirit është e atyre që kanë dështuar brenda kufirit”, tha ai.

Nga organizata joqeveritare “Aktiv” foli, Miodrag Miliçeviq, i cili tha se  edhe pse disa prej marrëveshjeve nuk janë zbatuar plotësisht, ato kanë kontribuar që të zbuten tensionet mes qytetarëve serbe dhe shqiptarë dhe të ketë lëvizje më të lehta të njerëzve dhe qytetarëve.

Ai pati disa kërkesa që duhet të implementohen nga marrëveshja e parë ndërmjet dy shteteve.

“Çështja e parë që është dashur të implementohet ka qenë themelimi i bashkësisë së komunave serbe, pasi kjo nuk është zbatuar. Çështja tjetër ka të bëjë me marrëveshjen e telekomunikacionit dhe lirinë e lëvizjes”, u shpreh ai.

Pavarësisht kësaj, shtoi se në këto kushte mund të ketë një marrëveshje të dytë, por duhet të dihet se në çfarë parime duhet të realizohet.

Miliçeviq foli dhe për mundësinë e ndarjes së Kosovës, apo shkëmbimit të territorit, ku theksoi se nëse do të ketë ndarje, serbët që jetojnë në jug nuk do të jenë në një pozitë të lakmueshme, pasi siç thotë ai do t’i humbin të gjitha drejtët institucionale.

Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri ka thënë se fillimisht duhet të përcaktohen disa parime se në çfarë niveli duhet të realizohet dialogu dhe të arrihet marrëveshja.

Sipas tij, marrëveshja për të qenë valide duhet të pranohet në bazë të kushtetutshmërisë dhe të jetë ekuivalente në të dy shtetet, pasi nuk mund të imponohet asnjë çështje.

Ai foli dhe për marrëveshjet e kaluara, sipas tij ka pasur mbi 33 marrëveshje e një pjesë e tyre nuk janë realizuar. Tahiri, pohoi se mangësi e kësaj është se palët i interpretojnë ndryshe këto marrëveshje.

Ndërsa gazetari, Zhivojin Rakoçeviq tha se fillimisht duhet të shihet gjendja reale e marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve serbë dhe shqiptarë që jetojnë në Kosovë.

Sipas tij, nuk mund të arrihet  marrëveshja finale kur problemet jetësore të qytetarëve janë të pranishme në çdo qytet ku jetojnë serbët.

Ai tha se mundësia e ndarjes për serbët jashtë veriut të Kosovës është zgjidhja më e keqe e mundshme.

 

Back to top button