Haraçina pa ujë,banori shet kamionin për të hapur pusin

Mjeshtri thotë se kërkesat për hapjen e bunarëve në Haraçinë nuk kanë fund

Këto janë disa fëmijë në fshatin Haraçinë. Fëmijë nuk mendojnë për lojëra, por se si do të sigurojnë ujin e pijshëm për familjen. Kjo është çezma e vetme në këtë lagje ku më shumë se 500 shtëpi furnizohen me ujë. Problemi me ujin në Haraçinë të Shkupit sipas banorëve është me vite. Nuhi Ajdini përpiqet të zgjedhë hallin e tij. Ai po hap një bunar, por për të siguruar mjetet për këtë bunar, Nuhiu është detyruar të shesë kamionin e tij.

“Po pse vendosëm me çel bunarin se pa ujë nuk ka jetë, ne që patëm mundësi me çel bunar mirë, po ato që nuk kanë mundësi nuk e di si do ia bëjnë. Ato që nuk kanë bunar mbushin ujë nëpër çezma”, tha ai.  

Faik Xhavidi është mjeshtër për hapjen e bunarit, ai thotë se në mungesë të ujësjellësit, këto banorë po i kthehen kohës të bunarëve.

Mjeshtri thotë se kërkesat për hapjen e bunarëve në Haraçinë nuk kanë fund.

“Shumë kërkesa të mëdhja këtu nuk kishte askush ujë, kjo familje këtu nuk ka ujë afër 6 muaj prej ujësjellësit. Këtu pak më herët e hapa një bunar tani në këtë lagje kam 4 shtëpi që kanë porositur për të hapur bunarë, mbi 40 kërkesa i kamë për momentin”, u shpreh mjeshtri.

Banorët e kësaj lagje u mblodhën para çezmës së fshatit duke treguar hallet e tyre se si po kalojnë këto ditë të vështira pa ujë dhe me temperatura të larta.

“Para 2 apo 3 viteve  uji vinte kohë pas kohe, ku vinte nga 2 orë pastaj një javë nuk kishte ujë, ne nuk po dimë ku të drejtohemi, ne kemi mbetur sikur jetimë, tha Ibrahim Veseli. 

Naser Ajdini ka blerë dy fuçi plastike ku dhe kishte instaluar përçimin e ujit.

“Qe fuçitë ku i kam blerë, që të kem ujë për kuzhinën, banjon, dhe kjo nuk është për pije këtë e kam rregulluar vetë e gjitha kjo më ka kushtuar 500 euro”, thotë ai.   

Halli i banorëve na drejtoi deri tek drejtori i ujësjellësit në Komunën e Haraçinës Nexhat Aliu. Ai sot nuk ishte në dispozicion për t’u prononcuar para kamerës tonë, por përmes telefonit theksoi se problemi me ujin po shqyrtohet edhe me kryetarin e komunës dhe se për një muaj do të rregullohet uji për këto familje.

Back to top button