Haradinaj: Banka Qendrore ndër institucionet më kredibile

Guvernatori i BQK-së premtoi se të vazhdojë përkushtimin për të mbajtur një sistem financiar stabil

“Banka Qendrore vazhdon të mbetet një ndër institucionet më kredibile në vend”, kështu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim Guvernatorin e ri të Bankës Qendrore, Fehmi Mehmetin.

Haradinaj në këtë takim siç bëhet e ditur në komunikatën për media, tha se Kosova është me fat që ka një institucion të tillë, që praktikon profesionalizëm dhe efikasitet, duke dhënë gjithë mbështetjen e Qeverisë që ky trend të vazhdojë.

“Zhvillimi ekonomik dhe stabiliteti financiar dhe bankar janë parametrat kryesor dhe për të cilët është garancë Banka Qendrore. Andaj Qeveria e vendit është e përkushtuar që kjo të vazhdojë, duke ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim”, tha Haradinaj.

Ndërsa, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti gjatë takimit me Haradinajn tha se Banka Qendrore do të vazhdojë përkushtimin për të mbajtur një sistem financiar stabil, sistem të sigurt të pagesave, konkurrencën e lirë dhe duke ruajtur politikat e përgjithshme ekonomike të Qeverisë.

Haradinaj më tutje theksoi se rritja ekonomike dhe hapja e vendeve të reja të punës, krahas fuqizimit të sundimit të ligjit janë objektivat kryesore të kësaj Qeverie./21Media

Back to top button