Haradinaj: Beogradi zyrtar i interesuar për destabilizim

Haradinaj tha se Serbia është mobilizuar për ta paraqitur Kosovën si një vend që po tenton të krijojë jostabilitet në rajon

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se taksa prej 100 përqind nuk mund të detyrohet të hiqet, por nuk përjashtohet mundësia që do të skenohen raste për ta paraqitur Kosovën si një vend që shkel të drejtat humanitare.

“Nuk përjashtohet mundësia që do të skenohet ndonjë vdekje diku në Kosovë për të akuzuar Kosovën se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së ushqimeve, pas taksës 100 përqind për produktet serbe por institucionet e Kosovës janë kampion në zbatimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtës humanitare”, ka thënë ai.

Haradinaj ka shtuar se askush në Kosovë nuk ka interes për jostabilitet dhe të vetmit që kanë iu intereson ndonjë skenar për destabilizim është Beogradi zyrtar.

Ai në seancën e sotme ka thënë se Serbia është mobilizuar për ta paraqitur Kosovën si një vend që po tenton të krijojë jostabilitet në rajon, duke e krijuar ushtrinë.

“Çështja e ushtrisë është çështje e brendshme e shtetit tonë”, ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës po mban seancën, në të cilën përveç shqyrtimit për herë të parë të projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, do të shqyrtohet edhe raporti i Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017. Gjithashtu do të shqyrtohet për herë të dytë edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Familjen i Kosovës.

Back to top button