Haradinaj: Bizneset humbin mbi 300 milionë në vit për shkak të energjisë

Java e Ndërmarrësisë nis me fjalime të Veselit e Haradinajt

Edhe Kosova u bashkua shteteve të tjera anembanë botës për të shënuar “Javën Globale e Ndërmarrësisë”, ku u tha se Kosova të bëhet vend i përshtatshëm për ndërmarrësi dhe se kjo javë do t’i shërbejë transformimit të kapitalizmit privat në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj sot morën pjesë në hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësisë në kuvend.

Kadri Veseli ka thënë se dija dhe inovacioni janë mundësi për ndërmarrësi dhe bashkërisht duhet të punohet që zhvillimi ekonomik të jetë perspektivë për Kosovën.

“Jam shumë i sigurt se më shumë ka të punësuar kosovarë në vendet e diasporës në sektorin privat, se sa që janë të punësuar në sektorin publik në Kosovë”, ka thënë Veseli duke shtuar se kjo javë e ndërmarrësisë do t’i shërbejë transformimit të kapitalizmit privat në Kosovë.

Sipas tij, Kosova ka perspektivë me një infrastrukturë moderne të zhvillimit ekonomik.

Kurse kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kuvendi është vendi ku krijohen normat për të bërë biznes.

“Kuvendi vendos për plot parametra si bëhet biznes në vendin tonë. Falënderoj deputetët që legjislacioni avancohet. Kosova ka ligje të avancuara të të bërit biznes. Ne kemi një hendikep në energji për të bërë biznes. Bizneset humbin mbi 300 milionë në vit për shkak të energjisë, tha ai.

Kryeministri përmendi edhe tërheqjen e Bankës Botërore lidhur me ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

“Banka Botërore na ka vonuar në këtë proces dhe në fund është tërhequr nga ky investim. 1.3 miliard dollarë nga kompania amerikane, jemi afër këtij investimi të madh”, shtoi ai.

Ndërsa, Uranik Begu nga ICK ka thënë se Kosova të bëhet vend i përshtatshëm për ndërmarrësi.

Back to top button