"Elena dhe Ismail Kadare na kanë ndihmuar të jemi ata që jemi sot"

“Elena dhe Ismail Kadare na kanë ndihmuar të jemi ata që jemi sot”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim shkrimtaren e njohur Helena Kadare, me ç’rast e ka dekoruar me  “Hartën e Artë të Kosovës”, si shenjë falënderimi për veprën e çmuar.

Pas takimit që e pati me të ai tha se Helena dhe Ismail Kadare na kanë ndihmuar të jemi ata që jemi sot. “Helena Kadare, Ismail Kadare, i  kanë dhënë kombit tim, lexuesve, vlerën më të lartë në letërsi, na kanë ndihmuar neve të jemi ata që jemi sot”, tha Kryeministri i Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, tha se për të është një ditë e veçantë, një ditë e bukur në jetën e tij, për faktin se priti në Qeverinë e Kosovës, zonjën Helena Kadare. “Një meritë e posaçme për Helenën, Ismailin dhe një falënderim i posaçëm i gjithë shqiptarëve kudo që janë, është se iu kanë ndihmuar shumë popujve të tjerë të botës që të dinë për ne dhe ta dinë kush jemi”, vlerësoi Kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, shkrimtarja Helena Kadare, e cila u shpreh shumë e emocionuar për nderin që ia bëri Kryeministri Haradinaj, tha se është pak të thuhet që është e nderuar, sepse siç theksoi ajo, Kosova për të është një gjë e veçantë dhe çdo ardhje këtu, është një gëzim i veçantë që nuk mund të përshkruhet me fjalë. “Kjo që po bën kryeministri sot, Haradinaj më nderon jo shumë, por nuk gjej dot fjalën e përshtatshme për ta thënë se çfarë gjëje e bukur dhe e jashtëzakonshme është kjo”, tha shkrimtarja Kadare., shkruan rtv21.tv

Me këtë simbol deri tani Haradinaj ka dekoruar personalitete të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Në mesin e tyre janë këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, humanistja e njohur serbe, Natasha Kandiq, si dhe ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Helena Kadare është bashkëshortja e shkrimtarit Ismail Kadare.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar se shqiptarët janë me fat që kanë Helena dhe Ismail Kadarenë. “Shqiptarët janë me fat që kanë Elena dhe Ismail Kadarenë! Bashkëshortët Kadare ishin zëri ynë kudo në botë. Ata u ndihmuan popujve tjerë që t’i njihnin shqiptarët dhe të drejtën e tyre. Shquhen për ndjenjën e jashtëzakonshme për Kosovën dhe këtë e manifestuan kurdoherë me dashuri të madhe. Elena Kadare na ka dhuruar rrëfimet më origjinale, për botën, për shqiptarët dhe për vetën e saj. Me një ndjenjë të veçantë, pata nderin t’ia dhuroj Elenës “Hartën e Artë të Kosovës”, si mirënjohje për krijimtarinë e saj letrare, ruajtjen e vlerave tona dhe përhapjen e tyre në botë”, ka shkruar i pari i Qeverisë.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka dekoruar shkrimtaren e njohur Helena Kadare ( e njohur edhe si Elena) me Medaljen Presidenciale të Meritave

Autorja e romanit “Një grua nga Tirana” po qëndron në Prishtinë  për një vizitë dy ditore ( 7 dhe 8 tetor)./21Media