Haradinaj dhe dogana: Hyrja e mallrave komerciale vazhdon normalisht

“Hyrja e mallrave komerciale vazhdon normalisht, nepër të gjitha vendkalimet kufitare, sipas ligjeve dhe vendimeve në fuqi”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur se taksa 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk është kundër asnjë komuniteti.

“I vetëdijshëm për fushatën kundër vendimit sovran të Kosovës për importin e mallrave nga Serbia dhe BeH dhe i vendosur në mbrojtje të te drejtave të qytetarëve pa dallim, dua të ritheksoj se tarifa prej 100% nuk është e drejtuar ndaj asnjë qytetari të vendit, ndaj asnjë komuniteti të caktuar e assesi ndaj mbijetesës së komunitetit serb”, ka shkruar Haradinaj.

Ai më tutje ka komentuar edhe sqarimin e Doganës së Kosovës për procedurat doganore në lidhje me rastet e donacioneve dhe mallrave e udhëtarëve.

“Mirënjohës Doganës së Kosovës për rikonfirmimin publik, se të gjitha donacionet me mallra që sillen në Kosovë sipas procedurave ligjore, si dhe të gjitha mallrat për personat fizik dhe udhëtarët sipas te drejtave ligjore nuk janë ndaluar nga Dogana dhe janë liruar nga tarifa konform procedurave të Kodit Doganor dhe ligjeve tjera ne fuqi. Për më tepër, hyrja e mallrave komerciale vazhdon normalisht, nepër të gjitha vendkalimet kufitare, sipas ligjeve dhe vendimeve në fuqi”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq sot, dogana e Kosovës përmes një njoftimi për media ka njoftuar qytetarët, bizneset, OJQ-të dhe çdo palë tjetër të interesit lidhur me procedurat doganore në përputhje me masën mbrojtëse sipas vendimit të Qeverisë për taksën 100% të vendosur për prodhimet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovinës.

Dogana ka sqaruar se të gjitha donacionet me mallra qe vinë në Kosovë sipas procedurave ligjore, si dhe të gjitha mallrat për personat fizik dhe udhëtarëve  sipas të drejtave ligjore nuk janë ndaluar nga Dogana dhe të gjitha janë liruar konform procedurave të Kodit Doganor dhe ligjeve tjera në fuqi.

“Gjithashtu ju njoftojmë se trafiku i mallrave komerciale vazhdon normalisht sipas ligjeve dhe vendimeve qe janë ne fuqi. Çdo palë qe ka paqartësi rreth procedurave ju lutem drejtohuni tek Dogana e Kosovës , ku do të japim sqarimet dhe udhëzimet e nevojshme”, bëhet e ditur në kumtesën për media të Doganës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës më 21 nëntor ka miratuar vendimin për ngritjen e taksës në 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe BeH. Ky vendim ka ngjallur shumë reagime edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që serbët në veri të Mitrovicës kanë protestuar disa herë për kundërshtimin e kësaj takse./21Media

Back to top button