Haradinaj: Ditë historike për punonjësit në sektorin publik

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Pagat

Pas miratimit të Ligjit për Paga në Kuvendin e Kosovës, Kryeministri Ramush Haradinaj e ka cilësuar këtë si historike për punëtorët e sektorit publik.

Ai përmes një statusi në Facebook është shprehur se punonjësit e Kosovës po përjetojnë rritjen më të madhe të pagave. Po ashtu Haradinaj ka falënderuar deputetët për votimin e këtij ligji.

Ditë historike për punonjësit në sektorin publik. Sot për herë të parë Kosova u bë me ligjin e pagave, që vendosë rregull në sistemin e pagave dhe rreth 70 përqind të punonjësve në sektorin publik po e përjetojnë rritjen më të madhe të pagave të tyre.
Poashtu, me kalimin e pakos së ligjeve për administratën shtetërore dhe për zyrtarët publik Kosova ka shënuar një arritje të madhe, duke përmbyllur një punë intensive të të gjitha institucioneve të vendit, në zbatim të programit të punës së Qeverisë, Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjendës së Reformave Europiane dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim.
Falënderoj deputetët për përmbylljen e kornizës ligjore, që konsiderohet si shtyllë e shtetit dhe funksionimit të tij që i jep vendit qeverisje të mire, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit, si dhe përafron Kosovën me Bashkimin Europian.”. ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sot pas një debati 6 orësh, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për Pagat. Teksti në përgjithësi më amendamentet e propozuara është votuar me 63 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim./21Media

Back to top button