Haradinaj: Qeveria do t’i trajtojë me prioritet kërkesat dhe nevojat e të gjitha kategorive të lirisë

Haradinaj: Qeveria do t’i trajtojë me prioritet kërkesat dhe nevojat e të gjitha kategorive të lirisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar lidhur me grevën një orëshe të nxënësve në të gjithë Kosovën , grevë kjo e cila ishte thirrur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Kryeministri ka thënë se qeveria e Kosovës ishte dhe mbetet e përkushtuar që t’i trajtojë me prioritet kërkesat dhe nevojat e të gjitha kategorive të lirisë

“Duke marrë parasysh sakrificën e të gjitha segmenteve të shoqërisë sonë, Qeveria e Kosovës ishte dhe mbetet e përkushtuar që t’i trajtojë me prioritet kërkesat dhe nevojat e të gjitha kategorive të lirisë. Tashmë një pjesë e këtyre kategorive kanë mbështjetjen e plotë ligjore”, thuhet në potimin e Haradinajt në Facebook.

Tutje Haradinaj ka thënë se mësimdhënësit e viteve të ’90-ta ishin shtylla e papërkulur e rezistencës sonë dhe se gjatë ditëve në vijim do t’i takojë përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe bashkërisht me ta do të punojnë në trajtimin e kërkesave me qëllim të realizimit të tyre.

“Në këtë frymë të përkushtimit, njohja e sakrificës së mësimdhënësve të viteve të ’90-ta ka poashtu një rëndësi të veçantë. Mësimdhënësit e viteve të ’90-ta ishin shtylla e papërkulur e rezistencës sonë. Gjatë ditëve në vijim do t’i takojë përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe bashkërisht me ta do të punojmë në trajtimin e kërkesave me qëllim të realizimit të tyre, por edhe në përmbushjen e obligimeve tona si shtet”, thuhet në fund të postimit Haradinaj në Facebook.

Ndryshe nëpër të gjitha shkollat e Kosovës sot nuk është mbajtur ora e parë e mësimit, për shkak të grevës së thirrur nga SBASHK-u. Kjo protestë është duke u mbajtur si shenjë revolte ndaj Qeverisë së vendit e cila ende nuk e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për punëtorët e arsimit në vitet 1990-99./21Media