Haradinaj: Duhet të sigurojmë një kthimi të dinjitetshëm të banorëve të Shqipërisë

“Të zhvendosur nga Shqipëria janë mbi 1300 persona”

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj zotohet se do të bëhet kthim i dinjitetshëm i gjithë banorëve të Shqipërisë, të cilët janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Sipas tij, nuk do të ketë më persona që do të vijnë për strehim në Kosovë, e vetëm gjatë ditës së sotme ai tha se janë kthyer 80 banorë të Shqipërisë.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me personat të cilat kanë qenë me precedente penale, e të njëjtit ishin strehuar në Parkun e Inovacionit në Prizren, Haradinaj nuk ka mohuar të ketë pasur raste të tilla. Megjithatë,  ai para mediave tha se Policia e Kosovës ka përgatitur një proces të identifikimit të të gjithë atyre që janë zhvendosur nga Shqipëria në Kosovë.“Nuk është hapur mundësia që të vijnë vetëm njerëzit që nuk janë fare të prekur nga tërmeti, ose që nuk i ka dëmtuar tërmeti. Duhet të bëjmë kujdes, sepse dalim keq, i bie që ne po bëjmë diçka jo serioze, nëse strehojmë njerëz që nuk i ka prekur tërmeti, sepse kjo ka ndodhur për shkak të tërmetit dhe për njerëzit e prekur. Institucionet e Kosovës bëjnë kujdes, jemi në komunikim me Shqipërinë. Unë mendoj që çdo gjë do të sqarohet nëse ka pasur njerëz me precedent penal atëherë institucionet e ligjit, ne nuk mundemi t’i lëmë në rrugë natën njerëzit për çfarë do paragjykimi. Duhet të bëjmë kujdes dhe të ruhet gjithkush. Nuk mendoj që ka ndodhur asnjë paragjykim i gabuar apo veprim i gabuar, por mund të ketë pasur njerëz me precedent penal”, tha Haradinaj.

Sipas tij, janë mbi 1300 persona të zhvendosur nga Shqipëria, e nga rreth 600 persona të strehuar në Parkun e Inovacionit në Prizren, tani kanë mbetur vetëm 270.“Të identifikuar nga Policia e Kosovës, si të zhvendosur nga Shqipëria janë mbi 1300 persona, e shumica e tyre pra janë të vendosur nëpër familjarë në qytete të ndryshme të vendit, edhe kemi evidencën e tyre, mirëpo pjesa më e madhe është zhvendosur në kampin në Prizren, dhe ne gjimnazin “Gjon Buzuku”. Tani kemi hyrë në një etapë të re, të kthimit të zhvendosurve, sikur se keni dëgjuar nga gjimnazi “Gjon Buzuku” janë kthyer të gjithë, njëkohësisht edhe nga Parku i Inovacionit, rreth 600 sa kanë qenë dikur, tani kanë mbetur vetëm 270. 80 janë kthyer sot”, ka thënë ai.

Haradinaj tha se Kosova duhet të ofrojë kthim të dinjitetshëm të banorëve të Shqipërisë, duke iu ofruar transport të gjithë atyre. Sipas tij, ka qytetarë të cilët duan të kthehen, por hasin vështirësi të sigurimit të transportit. “Unë kam vendosur t’u shkruaj letër kryetarëve të komunave që çdo komunë të vë në dispozicion një numër të telefonit, Drejtorinë e Emergjencës dhe të sigurojë transport për kthim, për familjet aty ku janë të evidentuara për t’i kthyer. Nëse kanë vështirësi, nëse një komunë nuk arrin të sigurojë transportin, ne i përkrahim si nivel qendror. Zyra e Kryeministrit në këtë rast ka qenë gjithë kohën aktiv dhe ne iu japim përkrahje”, ka thënë Haradinaj.

Shqipëria është goditur më 26 nëntor nga një tërmet i fuqisë 6.4 ballë të Rihterit që shkaktoi vdekjen e mbi 50 personave dhe mbi 900 të plagosur, por edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Banorët e Kosovës janë solidarizuar me vëllezërit e tyre, duke dërguar ndihma dhe duke strehuar banorët e prekur nga tërmeti më i fuqishëm në 30 vjetët e fundit në Shqipëri.

Back to top button