"Kjo nuk ka qenë lehtë me u arrit, ka qenë bukur vështirë"

Kjo nuk ka qenë lehtë me u arrit, ka qenë bukur vështirë”

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi me qytetarë në Istog, deklaroi se gjatë qeverisjes së tij ka arritur që ta ndalë dialogun, që sipas tij, ka qenë në drejtim të gabuar dhe me rreziqe për Kosovën.

Haradinaj tha se ka arritur të largojë dialogun nga tavolina e Mogherinit, Thaçit e Vuçiqit dhe atë dialog ta vendos në tavolinë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.

“Ka qenë me rëndësi iu siguroj me e ndal dialogun e z.Mogherinit, me e ndal atë dialog. Jo me e marr unë, po me e ndal atë dialog, ai dialog ka qenë në drejtim të gabuar, jo transparent me rreziqe për Kosovën. Për fat, merrni deklaratat e mia prej nisjes së qeverisë dhe pikërisht atë që kam thënë pikë për pike ka ndodhur, është ndal dialogu i zonjës Mogherinit, iu ka heq asaj ky dialog i asaj tavoline, edhe z. Thaçi dhe z.Vuçiq, pra ia kam hequr dialogun, jo me e marr unë, po ia kam hequr dialogun e kemi qu në tavolinë tw kancelares Merkel dhe të presidentit Macron. Kjo nuk ka qenë lehtë me u arrit, ka qenë bukur vështirë, kjo nuk kishte ndodhur pa mirëkuptimin e Amerikës pa përkrahjen e tyre. Pra, nëse dikush ka pasur dilema se a e lejon Kosova ndarjen mendoj që u krye kjo, të gjithë e kanë marrë vesh se në Kosovë nuk mundet me ndodh ndarja”, tha ai.

Një temë tjetër me rëndësi, sipas Haradinajt, që e kanë përfunduar, ka qenë krijimi i Ushtrisë së Kosovës.

“Nëse armiku që jemi ndarë para 20 vitesh, veç sa po e rrit ushtrinë, çka me bë na. Edhe ne duhet me u aftësua kundër atij armiku, pra edhe ne duhet me e rrit ushtrinë tonë, ne duhet me pas aspiratë me e rrit ushtrinë deri në kapacitetin sa me mujtë me iu përgjigj atij armiku. Ne ndoshta nuk do t’i përgjigjemi vetëm, se synojmë me u bë anëtarë të NATO-së, po në kuadër të NATO-së ne duhet me e dhënë kontributin tonë me iu përgjigj kujtdo që na rrezikon, nuk guxojmë me mbet të pambrojtur, është e padrejtë”, tha ai.

Ai ka përmendur edhe atë se gjatë qeverisjes së tij kanë arritur që ta kthejnë Trepçën 100 për qind Kosovë. Haradinaj tha se gjatë qeverisjes së tij kanë bërë ligj për qeverinë, ligj për administratën, për shërbyesit civil, ligj për pagat, ligj për kryeqytetin, ku ai tha se kanë forcuar shtetin.

Pretendenti për kryeministër thotë se kundërkandidatët e tjerë nuk e kanë mendjen tek punët e Kosovës.

Ai tha se ata ende pa ardhur në krye të shtetit po thonë e heqim taksën e bëjmë reciprocitet, ku ai tha se ditën kur i kanë vendosur 10 përqind taksë i kanë lutur për reciprocitet. Haradinaj tha se për ta njohur Kosovën, Serbia është dashur me qit kushte.

Kurse, kandidati për deputet Visar Ymeri, në fjalimin e tij ka zgjedhur të komentojë partitë e tjera.

“Dje duke i shikuar disa reklama në televizion më doli një reklamë me një autobus që ish prish në rrugë edhe i pash ishin dal krejt PDK dhe e shtyjshin përmas, me Kadri e me të tjerët, e u mundojshin me e dërgua në breg, thash vet me vete jo, jo nuk merret rruga me autobus të prishtë ashtu. Por le ta shtyjnë se kanë kohë, ka me pas zgjedhje edhe pas katër vitesh ndoshta mbërrijnë atëherë. E kemi edhe LDK-në ata nja një muaj kanë fol mes vete kush po i grah autobusit, meqë nuk mujten me u marr vesh thanë le te mban Isa vallanin, le t’i ndërron shpejtësitë Lutfi Haziri, e Vjosa le t’i jep gaz. Nuk ec autobusi ashtu. Edhe i kemi këta të LVV-së, këta shokët e mi, ata përnjëmend autobusit nuk i kanë gra kurrë po e kanë një farë kerri të vogël atje në Prizren, herë nër rrugë në ara e herë mbi rrugë në breg, asnjëherë në rrugë nuk po munden me e qit. E qe besa unë nuk mundem me ua lënë këtyre njerëzve aut obusin në rrugën që e ka Kosova sot, veç një njeri mundet me i grah atij autobusi, ne kemi vendosur që ai është Ramush Haradinaj”, tha ai.

Ndërkaq, kandidatja për deputete Donika Kadaj-Bujupi, u shpreh se 6 tetori është referendum, ku qytetarët kanë dy zgjedhje, ku njëra sipas saj, është koalicioni AAK-PSD që mbron tokat pa u mërzitur për karrige dhe në anën tjetër janë ata që mbrojnë karriget pa u mërzitur për toka.

“6 tetori është referendum, në njërën anë është koalicioni më në krye Ramush Haradinaj që mbron tokat pa u mërzitur për karrige, e në anën tjetër ata që mbrojnë karriget pa u mërzitur për toka. Paramendoni vetëm pak nëse Kosova nuk ishte drejtuar nga Ramush Haradinaj në këto dy vitet e fundit, nga Ramushi që bllokoi Serbinë me taksë, nga Ramushi që mbrojti edhe një herë kufijtë ashtu sic bëri 20 vite më parë dhe nga Ramushi që bëri ushtrinë. Ramush Haradinaj që nisi fushatën në ShBA, në Amerikën të cilën PDK dhe LDK e përmendin vetëm kur duan t’i fshehin hajnitë ose paaftësitë e tyre, e këta të tjerët e përmendin Amerikën kur thonë shqiptarët se duan Amerikën. Me 6 tetor fitorja jonë do të jetë e thellë, me 6 tetor do t’i tregojmë Thaçit në rend të parë, Vjosës, Kadriut, Albinit, e krejt me radhë se Kosova e ka një zot shtëpie, se nuk mjafton veç me fol, duhet pasur guxim, dije dhe vendosmëri”, tha ajo.

Ajo tha se 6 tetori është data e autostradës së Dukagjinit, derisa tha se numri 119 që mban koalicioni AAK-PSD, është numër që garanton zhvillim, shtesa për fëmijë, e shpresë për të gjithë. Ajo tha se numri 119 është për një Kosovë të bashkuar dhe numër i një fitoreje të madhe për Kosovën.