20 vjet më parë u masakruan 27 shqiptarë

20 vjet më parë u masakruan 27 shqiptarë

Sot në Lagjen e Tusuz në Prizren përkujtohet 20 vjetori i masakrës të regjimit të Serbisë, në të cilën janë masakruar 27 qytetarë.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kujtimi i martirëve dhe sakrifica e tyre është dëshmi për t’i kultivuar më tej dhe mbrojtur vlerat për të cilat ata dhanë jetën.

“Gjaku i derdhur i martirëve na obligon të mos ndalemi kurrë gjersa përgjegjësit e këtyre masakrave dhe gjenocidit të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Haradinaj.

Në këtë akademi përkujtimore i pranishëm ishte kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“27 veta u vranë, më 26 maj, 20 vjet më parë. Kujtimet janë të freskëta, sepse plagët janë të hapura. Për masakrën në lagjen Tusus, ende nuk ka drejtësi, e krimi i pandëshkuar është krim i vazhdueshëm. Forcat serbe, para dy dekadave, përveçse vranë më të dashurit tuaj, ato edhe plaçkitën e pastaj i dogjën rreth 250 shtëpi të kësaj lagje. Kriminelët të cilët e urdhëruan masakrën e Tususit dihen me emër e me mbiemër, si dhe gradat e tyre policore e ushtarake”, ka thënë ai.

Kurti duke thënë se Kroacia e ka mundësinë ligjore për t’i gjykuar në mungesë kriminelët e luftës u shpreh se ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale në Kosovë ka ngelur vetëm të votohet në lexim të dytë, mirëpo sipas tij në mënyrë absurde po e vonojnë.

“Pema e lirisë së Kosovës është mbjellur nga rezistencat dhe kryengritjet e popullit tonë përgjatë gjithë shekullit XX: paqësore e të armatosura, ilegale e legale. Mirëpo, kjo pemë është ujitur me gjakun e dëshmorëve dhe me djersën e punëtorëve. Pema është rritur e ka çelur, por nuk është as mirë dhe as e drejtë që lulet e pemës së lirisë të jenë për qytetarët, kurse frutat e pemës së lirisë për pushtetarët. Pra, pema e lirisë është bërë si një aromë e këndshme për popullin, të cilit i mpihen dhëmbët meqenëse s’ia japin frutat”, u shpreh ai gjatë fjalimit të tij në Tusuz të Prizrenit.

Kreu i VV-së u shpreh se martirët e dëshmorët dhanë gjithçka për popullin, të cilit ende i mungon shumëçka.

“Liria pa barazinë, liria me privilegje për disa e me diskriminim për shumicën, liria që nuk është liri për të gjithë, nganjëherë nuk është liri e plotë e nganjëherë as liri e vërtetë. Martirët e dëshmorët dhanë gjithçka për popullin, të cilit ende i mungon shumëçka. Askush sot, ama bash askush, nuk ka të drejtë të flas për pajtim me Serbinë në emër të motrës së dëshmorit Selver Maqkaj, Fazile Maqkajt, e cila u dogj e gjallë brenda shtëpisë së saj e në karrocë invaliditeti”, u shpreh tutje Kurti.

I pari i VVsë u shpreh se dëshmorët e martirët, viktimat e luftës e ata që ranë për liri, nuk i kanë asgjë borxh atdheut. Kurse, Kosova iu ka shumë borxh atyre, edhe për shkak se siç thotë Kurti nuk ia kërkoi asnjëherë borxhin shtetit të Serbisë.

“Sot, këtu, ka mjaft edhe dhembje edhe krenari. Ajo që duhet të kemi më shumë është: përgjegjësi. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të Tusuzit, të Lagjes së Trimave! Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit”, ka shkrua ai./21Media