Haradinaj e Pacolli shprehin ngushëllime për tragjedinë në Çeki

Në minierë humbën jetën 13 persona

Qeveria e Kosovës ka pranuar me shqetësim lajmin për tragjedinë e ndodhur në Minierën CSM të Çekisë, ku humbën jetën disa persona.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka dërguar telegram ngushëllimi homologut të tij në Çeki, Andrej Babiš dhe atij të Polonisë, Mateusz Morawiecki.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi. Lutjet e popullit të Kosovës janë me të gjithë të prekurit nga ky aksident dhe solidarizohet me minatorët që pësuan lëndime, duke iu uruar shërim të shpejtë”, thuhet në telegramin ngushëllues të kryeministrit Haradinaj.

Edhe zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka shprehur ngushëllimet e tij të thella homologut çek, Tomáš Petříček dhe atij polak, Jacek Czaputowicz.

“Eksplodimi në minierën e thëngjillit në Republikën Çeke, që la të vdekur 13 njerëz është një lajm trishtues dhe ngjarje tragjike për popullin polak dhe çek. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta homologut tim çek, Tomáš Petříček, atij polak, Jacek Czaputowicz, popujve të dyja vendeve dhe familjeve, që humbën më të dashurit e tyre, ndërsa të plagosurëve shërbim sa më të shpejtë. Republika e Kosovës qëndron me popullin polak dhe çek në këto momente të vështira pikëllimi”, ka thënë kryediplomati kosovar, Pacolli.

Të paktën 13 minatorë janë vrarë dhe 10 të tjerë janë lënduar në një shpërthim metani në një minierë qymyri në Çeki mbrëmjen e vonë të së enjtes./21Media

Back to top button