Haradinaj e quan takimin në Bruksel një hap përpara

Haradinaj u takua me drejtorin e Doganës së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vlerësoi se takimi i djeshëm në Bruksel ndërmjet delegacionit shtetëror me Mogherinin është një hap përpara.

“Ne i kemi marrë disa informata, mendojmë se ka qenë një takim i pritur dhe i paraparë që të ndodhë ashtu. Janë paraqitë qëndrimet edhe të delegacionit shtetëror dhe të institucioneve të BE-së. Mendojmë që është një hap përpara, për mos me thënë shumë pozitiv ose i mirë, por një hap përpara, po”, tha Haradinaj.

Ai këto komente i bëri pas takimit me drejtorin e Doganës së Kosovës, Bahri Berisha.

Haradinaj theksoi se Dogana e Kosovës  ka mbledhur mbi 65 për qind e të hyrave buxhetore, në të njëjtën kohë ai ka kërkuar nga dogana edhe rritjen e parametrave për të hyra dhe për luftimin e informalitetit.

Drejtori i Doganës Bahri Berisha theksoi se e ka njoftuar kryeministrin për punën e doganës në fushën e të hyrave, luftës kundër ekonomisë infomale dhe kontrabandës.

Ai tha se Dogana e Kosovës që nga themelimi ka arritur të inkasojë mbi 13 miliardë euro.

Ndërsa, ministri i Financave Bedri Hamza deklaroi se dogana është një prej institucioneve më të rëndësishme për inkasimin e të hyrave.

“Sot ne këtu i garantuam drejtorit për një përkrahje maksimale për kushte të punës dhe në luftimin e informalitetit”, tha Hamza.

Back to top button