Haradinaj u takua me Schäuble

Haradinaj u takua me Schäuble

Kryeministri i Kosovës gjatë qëndrimit të tij në Gjermani është takuar edhe me Kryetarin e Bundestagut, të cilin e ka falënderuar për atë çfarë Gjermania ka bërë për Kosovën.

Në Konferencën “Takimet Ndërkombëtare”, pata kënaqësinë ta takoj Kryetarin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble, të cilin e falenderova për gjithçka që Parlamenti gjerman dhe ai personalisht kanë bërë për Kosovën. Ndjenjë e mirë që Kosova është pjesë e pandashme e këtyre takimeve që promovojnë paqen dhe mirëbesimin ndërmjet njerëzve dhe kombeve!
Faleminderit Gjermani! “, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë vizitës zyrtare në Gjermani pas takimit të parë që pati në Berlin me deputetët gjermanë, ai u takua edhe me kancelaren gjermane, Angel Merkel, me të cilën ka biseduar për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, për zhvillimet politike dhe ekonomike, progresin dhe sfidat me të cilat po përballet Republika e Kosovës në këto 11 vjet të shtetndërtimit, si dhe për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, duke e cilësuar Kosovën si palë serioze në proceset integruese, tha se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat e interesit reciprok.

I pari i Qeverisë ka mbërritur dje në Berlin, ku është pritur me një ceremoni ushtarake. Ai do të qëndrojë në Berlin deri nesër, ku mëngjesin do ta nisë me pjesëmarrjen në Lutjet e Mëngjesit, ndërsa më pas do të vazhdojë takimin me deputetët e CDU-së, Peter Beyer, Christian Schmidt,Dr. Johann Wadephul./21Media