Haradinaj: Fëmijët e moshës 0-16 vjeç do të marrin shtesa çdo muaj

Shtesat do të jenë prej 10 euro, e pastaj do të rritet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka treguar se AAK ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës projekt-rezolutën për shtesat për të gjithë fëmijët në Kosovë.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar që kjo projekt-rezolutë parasheh që çdo fëmijë në Republikën e Kosovës prej moshës 0-16 vjeç të gëzojë shtesa.

“Si parti politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjithmonë i është dedikuar politikave familjare dhe përkrahjes së zhvillimit të tyre. Jam i lumtur që sot, AAK ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës projekt-rezolutën për shtesat për të gjithë fëmijët e Kosovës.  Si Kryeministër i vendit, besoj që kjo iniciativë do të mbështetet nga të gjitha partitë politike.Kjo projekt-rezolutë parasheh që çdo fëmijë në Republikën e Kosovës prej moshës 0-16 vjeç të gëzojë shtesa, çdo muaj, duke filluar nga 10 euro, pastaj sipas mundësive buxhetore, kjo shumë edhe mund të rritet. Bëhet fjalë për rreth 500 mijë fëmijë në tërë Kosovën që do ta gëzojnë këtë të drejtë. Projekt-rezoluta për shtesat e fëmijëve është një nga hapat e Qeverisjes sime për të zhvilluar politika të qëndrueshme në mbrojtjen e fëmijëve dhe familjes”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i Qeverisë ka thënë që beson se kjo iniciativë do të gjej mbështetje te partitë politike dhe sipas tij ky projekt rezolutë është hap i qeverisjes së Haradinajt për të zhvilluar politika të qëndrueshme./21Media

Back to top button