20-vjetori i rënies së Sali Çekajt

20-vjetori i rënies së Sali Çekajt

Në ditën e Veteranëve të Koshares dhe rënies së heroit Sali Çekaj, është mbajtur akademi përkujtimore. Me këtë rast kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se rënia e Sali Çekajt e bën të veçantë luftën e Koshares.

“Jemi bashkuar për të kujtuar veteranët, por jo vetëm. Kemi fol në disa raste për Epopenë se bëhet fjalë për shumë orë dhe ditë lufte. Kurrë nuk është tepër me thënë se fillimi i luftës frontale, është një kthesë e madhe. Është edhe dita e sotme është vet Sali Çekaj që e bënë të veçantë luftën e Koshares. E filloi luftën me dije dhe me pikëpamjet e tij intelektuale. Është heroi ynë që e kujtojmë. I ka kaluar të gjitha këto sfida, me nder dhe dinjitet. Shpreh respekton më të madh për Sali Çekajn dhe për të gjithë të tjerët”, tha Haradinaj.

Edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka përkujtuar heroin e kombit Sali Çekaj në 20 vjetorin e rënies së tij në Koshare.

“Me krenari kujtojmë Heroin e Kosovës, Sali Çekaj i cili ra 20 vite më parë në Betejën e Koshares për lirinë e Kosovës. Sali Çekaj veprimtarinë ushtarake e ndërlidhi me veprimtarinë e tij politike duke u bashkuar në rrugëtim me Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për liri, pavarësi dhe demokraci”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga LDK në emër të kryetarit Mustafa.

Sipas Mustafës, Sali Çekaj, me madhështinë e kontributit të tij për çështjen kombëtare, la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të shtetformimit në Kosovë.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës e nderojnë dhe respektojnë veprën e Heroit Sali Çekaj dhe veprën e tij e ruajmë si trashëgimi të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Agron Jusufi në emër të Brigadës 138 ‘Agim Ramadani’ tha se Sali Çekaj ishte njeriu që i udhëzonte, drejtonte dhe qortonte kur ishin gabim.

“20 vjet nga rënia e tij ne shprehim nderime për veprimtarinë e tij. Secila pjesë e personalitetit të tij ka qenë e veçantë. Saliu është figurë e madhe e kombit. Saliu na fton të jetojmë një jetë të devotshme. Ai ishte njeri i aftë, nuk ishte i gjatë në fjalimet e tij. Problemet që i kemi si shoqëri nuk u krijuan për një ditë, por që nga paslufta. Nuk guxojmë t’ia  lejojmë vetës që jemi mirë, dhe që na ndihmojnë të tjerët”, u shpreh Jusufi.

I biri i heroit, Hysni Çekaj tha se për familjen e tyre 19 prilli është ditë mërzie. Ai në këtë akademi ka shtruar pyetjen nëse janë duke shkuar në rrugën e atyre që kanë rënë për liri.

Sali Çekaj ishte vrarë më 18 prill të vitit 1999, në luftën kundër okupimit serb mbi Kosovën, në betejën e lavdishme të Koshares.