Haradinaj: Kosova është e palëkundur në fuqizimin e partneritetit bilateral dhe strategjik

Haradinaj: Kosova është e palëkundur në fuqizimin e partneritetit bilateral dhe strategjik

Kryeministri në dorëheqje i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me të dërguarin e Amerikës për Ballkanin, Matthew Palmer.

Haradinaj ka thënë se në takim me Palmer, në New York, ka theksuar edhe njëherë se Kosova është e gatshme dhe e përkushtuar për marrëveshjen ligjërisht obligative, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues.

“Kosova është e palëkundur në fuqizimin e partneritetit bilateral dhe strategjik, si dhe thellimin e miqësisë së përhershme me ShBA-në. Rikthimi në tavolinën e dialogut pa kushte dhe me afat dhe kornizë të qartë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është rruga e vetme që dy shtetet i përafron me strukturat euro-atlantike. Caktimi i Zëvendësndihmës Sekretarit, Matthew Palmer, si i dërguari i posacëm për këtë temë, nga Departamenti i Shtetit, është sinjal i mbështetjes së vazhdueshme për Kosovën nga ShBA-ja. Në takim me Palmer, në New York, theksova edhe njëherë se Kosova është e gatshme dhe e përkushtuar për marrëveshjen ligjërisht obligative, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërsa, ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, pas takimit me Matthew Palmer, ka thënë se është i përkushtuar që të angazhohet me ShBA në çështjet strategjike të Kosovës, përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Gjithmonë një kënaqësi të takoj të dërguarin e Posaçëm të Sekretarit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Matt Palmer dhe shkëmbimin me të për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Kosovës dhe SHBA dhe angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-vë për Kosovën. Jam i përkushtuar që të angazhohem me ShBA në çështjet strategjike të Kosovës, përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka shkruar Pacolli në Facebook./21Media